AKTUALITET, 16 Gusht 2021, 12:18

Përkrahja pa rezerva e Amerikës është fat për ne!

Përkrahja pa rezerva e Amerikës është fat për ne!

Nga Ermal Mulosmani/

Katastrofa amerikane në Afganistan është një ngjarje shumë e keqe që shkon shumë përtej fatit të atij vendi.

Të gjitha vendet e vogla që shohin te Amerika mbrojtësin e madh të lirisë dhe sovranitetit të tyre u përbinë të frikësuar njëherë mbrëmë…

Marksistët që kanë parë te Amerika “tigrin prej letre” apo “xhandarin ndërkombëtar të popujve”, fërkuan duart plot gëzim.

Gjithë retorika e tyre për korrupsionin politik dhe ekonomik të burokratëve vendor me bekimin amerikan mori dje një konfirmim të fortë.

Egot ekspansioniste të diktatorëve të mëdhenj apo diktatorucëve të vegjël, në kurriz të popujve më të vegjël, morën një hov të paparë.

Ngjarja e Janarit të këtij viti, në Kapitol Hill, ishte trandja e parë e pushtetit amerikan në botë.

“Kështjella e Demokracisë” shfaqi probleme të botës së tretë në pranimin e votës së lirë. Deri në atë kohë zgjedhjet amerikane ishin modeli ku duhej të shkonim, ëndrra e demokracisë.

Mirëpo sulmi mbi Kapitol Hill dhe akuzat për vjedhje apo ndërhyrje manipuluese të bëra nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, i vunë një vulë turpi Amerikës. Kur akuzon Presidenti i USA-s çfarë do të bëjë një udhëheqës ballkanas apo aziatik?! Reputacioni amerikan për momentin është në ditë të keqe shumë.

Çdo dilemë shqiptare për të dhënë kontribut në këtë gjendje shoku amerikan na turpëron. Gjysma e shqiptarëve e gëzojnë lirinë sot prej Amerikës. Ne nuk kemi zgjidhje tjetër përpos pro-amerikanë deri në kockë.

Shyqyr që Amerika po ka nevojë sot për ne, nesër do kemi nevojë ne për ta. Ballakni kurrë nuk mund të jetë një vend ku mund të jetohet i qetë, në demokraci dhe me sovranitet të siguruar.

Dhe shqiptarët janë të margjinalizuar në çdo konflikt rajonal të nesërm. Kështu që përkrahja pa rezerva e Amerikës sot është fat për ne.