AKTUALITET, 16 Gusht 2021, 10:28

Afganistani në duart e Talebanëve, Joe Biden diskuton me ekipin e sigurisë

Afganistani në duart e Talebanëve, Joe Biden diskuton me ekipin e

Situata në Kabul vijon të jetë e rëndë që prej ditës së djeshme, ku talebanët janë drejt marrjes së kontrollit të plotë të vendit.

Pamjet e publikuara në media tregonin kaosin që u krijua në Aeroportin e Kabulit, ku qindra persona kërkonin të largoheshin nga vendi, pasi jeta e tyre është në rrezik pas ardhjes së Talebanëve në pushtet.

Trupa amerikane janë duke mbajtur nën kontroll aeroportin, për të lejuar evakuime.

Sakaq, presidenti Joe Biden ka zhvilluar së fundmi një takim online me ekipin e sigurisë për të mësuar më shumë mbi situatën në Afganistan.

“Këtë mëngjes, Presidenti dhe Zëvendës Presidenti u takuan me ekipin e tyre të sigurisë kombëtare dhe zyrtarët e lartë për të dëgjuar përditësimet mbi tërheqjen e personelit tonë civil në Afganistan, evakuimet e aplikantëve SIV dhe aleatët e tjerë afganë dhe situatën e vazhdueshme të sigurisë në Kabul,” thotë në një deklaratë Shtëpia e Bardhë.

SHBA dhe NATO tërhoqën pas 20 vitesh trupat nga Afganistani, ndërsa talebanëve nuk iu desh më shumë se një javë për të rimarrë kontrollin e vendit.