TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Komisioni i Apelit të UEFA-s ka lënë në fuqi dënimin me 10 vite përjashtim nga kompeticionet europiane të Skënderbeut dhe gjobën prej 1 milion eurosh, pas seancës së para pak ditëve ku dëshmuan edhe disa prej lojtarëve dhe ish-lojtarëve kyç të korçarëve. Avokati zviceran që përfaqëson Skënderbeun, Jean-Cedric Michel kishte kërkuar që përpara UEFA-s të ketë sa më shumë lojtarë që të dëshmojnë për dyshimet që kanë inspektorët e UEFA-s për ndeshjet e përfshira në raportet e tyre. Pretendimet e avokatëve të korçarëve janë për të hequr tërësisht dënimin, jo thjesht ulje të tij, e për këtë arsye ata kanë bërë të ditur se do të kalojnë deri në CAS, nëse kjo kërkesë e tyre nuk pranohet në Apelin e UEFA-s, e pas CAS-it kanë kërkuar që të shkojnë deri në Gjykatën Federale të Zvicrës për të përmbushur kërkesat e tyre dhe të drejtuesve të skuadrës së Skënderbeut për këtë çështje.
7 SHKURT - REKOMANDIN PËR DËNIM NGA KOMISIONI I DISIPLINËS
Klubi i Skënderbeut është dënuar me 10 vite përjashtim nga të gjitha kompeticionet e UEFA-s. Komisioni i Disiplinës në UEFA-s, ka marrë vendimin drastik për klubin korçar, duke i dhënë kështu një përjashtim shumë të rëndë. Korçarët janë dënuar edhe me një shumë marramendëse prej 1 milion eurosh. Në vendim shkruhet: “Bazuar në konsideratat e sipërpërmendura, Inspetorët e Etikës dhe të Disiplinës kërkojnë nga Komisioni i Disiplinës dhe Etikës pranë UEFA-s që: Të referojnë çështjen te Komisioni i Apelit në UEFA në lidhje me nenin 34(3) në Statutin e UEFA-s dhe nenit 29(3) në Statutin e UEFA-s dhe nenit 29(3) në Rregulloren e Disiplinë”. Klubi korçar është bërë shembull duke u dënuar ashpër pasi dyshohet për trukime ndeshjesh. Në shpjegimin e raportit 33-faqësh nënvizohet se, shumë kompani bastesh e kishin hequr klubin në fjalë nga kuotimi, për shkak se dyshonin se Skënderbeu kishte rënë prè e manipulimeve sportive. Katër takime në Kupat e Europës të skuadrës së Skënderbeut ishin mes provave për trukim, më konkretisht ndeshjet ndaj Crusaders, Dinamos së Zagrebit, Sporting të Lisbonës dhe Lokomotivës së Moskës. Në verën e vitit 2016 ata u dënuan të mos luajnë një sezon në Europë dhe në vend të tyre luajti Partizani në kupat e Europës.
16 SHKURT - KËRCËNIMI I INSPEKTORËVE TË UEFA-s
Më 16 shkurt, UEFA përmes një deklarate të saj publike bëri të ditur se, “sot, Inspektorët Disiplinorë të UEFA-s që punojnë në këtë rast kanë marrë kërcënime anonime me jetë, me sa duket kanë për qëllim t’i trembin ata dhe t’i ndalojnë që të kryejnë punën e tyre. Këto kërcënime nuk do të kenë sukses dhe policia është njoftuar gjithashtu. UEFA mbetet plotësisht e angazhuar në luftën kundër fiksimit të ndeshjeve dhe i gjithë stafi i që punon në këto çështje vendimtare mund të llogarisë mbështetjen e plotë të organizatës”, theksohet në deklaratën e UEFA-s. Në deklaratën vihet në dukje se Skënderbeut iu ndalua pjesëmarrja në kompeticionet europiane për sezonin 2016-2017 për trukim ndeshjesh. Më tej theksohet se informacione të tjera për trukime kanë ardhur në UEFA nga BFDS, Sistemi i Zbulimit të Mashtrimeve të Basteve, organi më i lartë futbollistik europian ka sugjeruar masa ekstreme ndaj klubit shqiptar.
21 SHKURT - LETRA DREJTUAR PRESIDENTIT TË UEFA-s
Më 21 shkurt, me anë të një letre të hapur, Kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, i është drejtuar presidentit të UEFA-s, Aleksander Ceferin, ku kërkon të vlerësojë me qetësi këtë kërkesë për dënimin 10 vjeçar të ekipit korçar, pasi një dënim i mundshëm do vriste shpresën e të gjithë kombit për futbollin. “Qyteti i Korçës jeton me futbollin. Jemi Skënderbeu dhe kjo skuadër nuk është thjesht një emblemë, është një histori e tërë lavdie dhe krenarie. Në respekt të punës suaj dhe parimeve për sport të pastër dhe cilësor, por dhe në vlerësim të fakteve dhe historisë të një qyteti si Korça dhe të një ekipi si Skënderbeu, do të ndihesha i respektuar nëse do të konsideronit atë çfarë parashtroj në këtë letër, në mbështetje të ekipit të qytetit tim të dashur.
29 MARS - VENDIMI I KOMISIONIT TË DISIPLINËS
Më datë 29 mars, u bë publik edhe vendimi se Komisioni i Etikës, Kontrollit dhe Disiplinës i kishte rekomanduar UEFA-s që ekipi i Skënderbeut, të dënohej me 10 vite përjashtim nga të gjitha aktivitetet dhe me 1 milion euro gjobë. Në vendim thuhej se Skënderbeu ka të drejtë ta apelojë çështjen brenda 60 ditëve. Gjithashtu, në vendim përcaktohet se shuma prej 1 milionë euro, duhet të paguhej brenda 90 ditëve nga komunikimi i këtij vendimi. Presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, dekalori: “Jemi të pastër nga kjo histori, Ne jemi të bindur për pafajësinë, edhe nëse KAS e lë në fuqi këtë vendim, do të shkojmë gjykatën federale të Zvicrës. Tifozët e Skënderbeut i garantoj se do të jemi pjesë e Championsin këtë sezon”.
13 PRILL - RIKTHIMI I TITULLIT NGA KAS-i
Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë (KAS) ka marrë vendimin për t’i rikthyer titullin e sezonit 2015-2016 skuadrës së Skënderbeut. Lajmi është konfirmuar nga klubi korçar nëpërmjet një njoftimi në faqen zyrtare.
26 PRILL - GJASHTË ORË PYETJE NË APEL
Më 26 prill, për rreth 6 orë pyetjesh dhe përballje faktesh, përfundoi paraqitja e përfaqësuesve të Skënderbeut përballë Komisionit të Apelit të UEFA-s në Gjenevë të Zvicrës. Veç presidentit Ardjan Takaj, përballë Komisionit të UEFA-s ka dëshmuar këtë herë edhe Sabien Lilaj, i cili ishte i kërkuar nga vet përfaqësuesit e UEFA-s, i cili së bashku me Bakari Nimagën nuk kishin folur ndonjëherë për këtë çështje. Pas tyre janë pyetur me radhë ish-kapiteni Bledi Shkëmbi, sot trajneri i Lirisë së Prizrenit; Bernard Berisha, sot lojtar i Groznit në kampionatin rus; si dhe Liridon Latifi, sot lojtar i Akademisë Pushkash në Hungari. Pavarësisht se kanë dëgjuar dëshminë e të gjithë këtyre lojtarëve dhe ish-lojtarëve, përfaqësuesit e Komisionit të Apelit të UEFA-s vazhdojnë të qëndrojnë fort pas raporteve të sistemit “BFDS”.
4 MAJ - DËNIMI NGA KOMISIONI I APELIT I UEFA-s
Komisioni i Apelit të UEFA-s ka lënë në fuqi dënimin me 10 vite përjashtim nga kompeticionet europiane të Skënderbeut dhe gjobën prej 1 milion eurosh, pas seancës së para pak ditëve ku dëshmuan edhe disa prej lojtarëve dhe ish-lojtarëve kyç të korçarëve
/TPZ.AL/