TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Në Palo Alto të Kalifornisë ndodhet një kafe, ku një burrë i gjatë, pak më shumë se 40 vjeç, përshëndet këdo që hyn, i tregon menunë, mbledh pjatat dhe gotat në tavolina dhe ndonjëherë edhe i lan. Pakkush në Palo Alto e di kush është. Ai është një nga talentet më të mëdha të futbollit turk dhe jo vetëm të viteve të fundit: Hakan Shukur.
Po çfarë bën kampioni turk në “Tuts Bakery and Cafe”, në Palo Alto? Pse shërben në lokal dhe nuk bën opinionistin në ndonjë televizion? Ai ka qenë pjesë e Gallatasarajit të madh në vitet 2000 dhe i ka dhuruar vendin e tretë në Botërorin e Koresë dhe Japonisë vendit të tij, Turqisë. Në Itali ka luajtur me Torinon, Interin dhe Parmën.
Shukur ka lënë Turqinë për shkak të politikës, siç tregon në një intervistë për “New York Times”, e para që pas mbërritjes në Amerikë në vitin 2015. Kundër tij, Qeveria e presidentit Erdogan lëshoi një urdhër arresti, babai i tij përfundoi në burg për gati një vit. Pasuria e tij u sekuestrua. Kur iu fut politikës, në vitin 2011, ishte pjesë e partisë së Erdoganit.
Duke qenë i famshëm, nuk e kishte të vështirë të fitonte një vend në parlament, por lufta e presidentit kundër Gulenit, që Shukur e admironte, e detyroi ish-sulmuesin të jepte dorëheqjen. “Që nga ai moment, në çdo aktivitet që bëja, më dilnin probleme administrative pa fund”, – tregon Shukur. Erdogan nuk e toleronte dot kundërshtimin e tij. Shukur e di mirë se, nëse do të ishte sjellë ndryshe, do të kishte një jetë të bukur: “Nëse do të bëja atë që donin, do të isha Ministër në Turqi. Tani po shes kafe, por nuk kam humbur respektin për veten”, – shprehet ai.
Në 2015-ën u transferua në Kaliforni me gruan dhe tre fëmijët: “Jetë e bukur këtu. Dua që fëmijët e mi të jenë të lirë, të pavarur. Dua që ata të vizitojnë vende të tjera, të mësojnë kultura të ndryshme dhe të maturohen”. Shukur nuk ishte në Turqi në 2016-ën, kur dështoi grushti i shtetit kundër Erdoganit. “Turqia është vendi im dhe i dua njerëzit. Idea që kanë për mua nuk është ajo e vërteta, sepse janë të ndikuar nga media. Nuk do të jetë gjithmonë errësirë, një ditë do të ketë dritë dhe do të kthehem të përqafoj prindërit e mi.
Futbollin nuk e ka harruar, luan me një skuadër lokale dhe të paktën ata e dinë kush është personi që u shërben qoftë në restorant.