AKTUALITET, 17 October 2026, 11:23

Përfundimet e Këshillit Evropian për zgjerimin e BE, ministri Hoxha: Një shans historik për Shqipërinë

Përfundimet e Këshillit Evropian për zgjerimin e BE, ministri

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social “X” lidhur me përfundimet e Këshillit Evropian mbi zgjerimin dhe të ardhmen e Bashkimit Evropian.

Hoxha theksoi se Shqipëria mbetet e përkushtuar për të vijuar reformat dhe për të përmbushur të gjitha angazhimet dhe detyrimet që burojnë nga procesi i negociatave për anëtarësimin në BE.

Ai shtoi se progresi i vendit do të matet dhe vlerësohet në bazë të punës, performancës dhe rezultateve të arritura.

POSTIMI I PLOTË:

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme mirëpret konkluzionet e Këshillit Evropian @EUCouncil mbi zgjerimin dhe të ardhmen e Bashkimit Evropian.

Ne vlerësojmë riafirmimin e qartë se #zgjerimi është një investim gjeostrategjik në paqen, sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e Evropës. Ky është një mesazh i rëndësishëm në një kohë kur Bashkimi Evropian duhet të forcojë më tej unitetin, kapacitetin e tij për të vepruar dhe sovranitetin evropian.

Ne mirëpresim gjithashtu riafirmimin e parimit të #meritës, sipas të cilit çdo vend kandidat avancon në procesin e anëtarësimit mbi bazën e progresit të vet.

#Shqipëria ka qenë dhe mbetet plotësisht e angazhuar për të vijuar me vendosmëri reformat, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, dhe për të përmbushur të gjitha angazhimet dhe detyrimet që burojnë nga procesi i negociatave. Progresi ynë do të matet dhe vlerësohet mbi bazën e punës, performancës dhe rezultateve tona.

Në thelb, konkluzionet e Këshillit Evropian forcojnë më tej bindjen se #zgjerimi është sot në zemër të agjendës strategjike evropiane dhe se perspektiva e anëtarësimeve të reja po bëhet gjithnjë e më konkrete.

Për Shqipërinë, si një nga vendet në pararojë të këtij procesi, përgjigjja duhet të jetë e qartë: të vijojë, pa humbur kohë, me vendosmëri dhe përgjegjësi, reformat dhe negociatat, përmes të cilave do të arrijë gatishmërinë e plotë për anëtarësim.

Ky është një shans historik për Shqipërinë dhe shqiptarët. Kurrë nuk kemi qenë më pranë realizimit të aspiratës sonë më të madhe dhe më të qëndrueshme kombëtare, kërkesës së kahershme të rinisë dhe të gjithë shoqërisë shqiptare: Shqipëria në #Evropë.

Por anëtarësimi nuk dhurohet. Ai fitohet, vetëm me punë, reforma, rezultate, përgjegjësi dhe përgjegjshmëri.

Rruga deri këtu ka kërkuar shumë energji, përpjekje dhe sakrifica. Shqipëria ka treguar se i ka edhe energjitë, edhe aftësitë, edhe përkushtimin.

Pikërisht sepse kemi pritur kaq gjatë dhe sepse e dimë se, në histori, mundësi të tilla nuk qëndrojnë të hapura përgjithmonë, nuk mund t’ia lejojmë vetes ta humbasim këtë moment.

Dora e zgjatur e BE-së duhet shtrënguar fort, duke ecur krah për krah deri në anëtarësim.

Duke nxjerrë mësimet nga e kaluara, ne nuk mund dhe nuk duhet të lejojmë që ky kapitull transformues i historisë sonë moderne, më i rëndësishmi për të sotmen dhe të ardhmen tonë, të bëhet historia e një tjetër shansi të humbur.