AKTUALITET, 24 Gusht 2018, 14:21

Përfshihet nga zjarri kurora e gjelbër në Lushnjë, digjen 10 hektarë ullishte dhe shkurre

Përfshihet nga zjarri kurora e gjelbër në Lushnjë, digjen 10

Një zjarr fillimisht i vogël ne orët e para të mëngjesit të sotëm ka arritur të djegë hektarë të terë të mbjella me ullishte, por edhe sipërfaqe me shkurre të larta në kurorën e gjelbër të Lushnjës.

Zjarri i nisur fillimisht në një prej luginave të kodrave të qytetit në afërsi të Kasharajt konsiderohet si aksidental. Edhe pse kanë qenë prezent me urgjencë në vendngjarje, zjarrfikësit e kane të pamundur të ndërhyjnë për të shuar zjarrin pasi terreni kodrinor nuk i krijon asnjë mundësi të shkojnë me mjetin me ujë.

Prej orësh banoret e zonës dhe zjarrfikësit po luftojnë me zjarrin, i cili sipas të dhënave të deritanishme ka djegur rreth 10 hektarë sipërfaqe kryesisht me ullishte dhe vijon të përpijë ende i ndihmuar nga era, e cila e drejton në kahe të kundërta sa herë që ajo ndryshon drejtim.

Ende nuk është mundur të vihet në kontroll zjarri, ndërkohë që miliona lekë pasuri e banorëve të zonës në drufrutore janë duke u shkatërruar nga zjarri. Ky është zjarri i parë për këtë vit në kurorën e gjelbër të qytetit të Lushnjës, pasi nuk ka mbetur edhe shume gjelbërim sepse vitin e shkuar zjarret masive benë që kjo kurorë të zhvishet e të mbesë e shkrete.