TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dënuar ashpër veprimet e policisë ndaj qytetarëve që marrin pjesë në protestat kundër qeverisë, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se po përdor frikën dhe dhunën për të ruajtur pushtetin.
Në një deklaratë për mediat, Berisha pretendoi se komisariatet e policisë po ushtrojnë presion ndaj protestuesve pa asnjë shkak ligjor, duke shkelur, sipas tij, Kushtetutën dhe të drejtat themelore të qytetarëve. Kryedemokrati e krahasoi Ramën me presidentin serb Aleksandar Vuçiç dhe ish-diktatorin rumun Nicolae Çaushesku, ndërsa paralajmëroi se protestat nuk do të ndalen.
Berisha deklaroi se marrja në pyetje e qytetarëve për pjesëmarrjen në tubime paqësore është një përpjekje për të frikësuar protestuesit, por sipas tij, këto metoda nuk do të arrijnë të ndalin kundërshtimin ndaj qeverisë.
“Së fundi, dënoj me forcën më të madhe terrorin, dhunën antikushtetuese që komisariatet, në shkelje të të gjitha ligjeve, po ushtrojnë ndaj qytetarëve në qytete dhe kudo për pjesëmarrjen e tyre në protesta paqësore”, u shpreh Berisha. Ai akuzoi strukturat policore se po shkelin ligjin duke marrë deklarime nga qytetarët, ndërsa theksoi se përdorimi i frikës nuk do ta shpëtojë kryeministrin.
“Pa asnjë shkak, pa asnjë motiv, duke shkelur kode dhe Kushtetutë, marrin deklarata dhe besojnë si të verbër se me instrumentet e frikës do mund të shpëtojnë Vuçiçin shqiptar”, deklaroi kreu i PD-së. Në përfundim, Berisha ashpërsoi gjuhën ndaj Ramës, duke e krahasuar me figura politike që janë larguar nga pushteti pas protestave dhe përmbysjeve politike.
“Edi Rama, argati i Vuçiçit, apo siç e kanë quajtur, Pashiqi shqipfolës, do të ketë fatin e tij ose të Çausheskut. Duhet të zgjedhë vetë. Protestat nuk ndalen”, përfundoi Berisha. Deklaratat e kryedemokratit vijnë në vijim të akuzave të opozitës për përdorim të paligjshëm të forcës dhe presion policor ndaj pjesëmarrësve në protestat studentore dhe qytetare.