AKTUALITET, 5 Shkurt 2019, 13:40

Përdhunimi i të miturës, ç’ndodhi në gjyq. I dashuri e kishte filmuar dhe i kërkonte që…

Shtantazhuan vajzën 14-vjeçare me videon intime për t’i kërkuar marrëdhënie seksuale, lihen në burg 7 djemtë e mitur.

“Arrest në burg” vendosi Gjykata e Durrësit për shtatë adoleshentët nga Kavaja, të cilët akuzohen se kanë kryer marrëdhënie seksuale me një vajzë 14-vjeçare nëpërmjet shantazhit me një video intime, që i dashuri i saj (shpallur në kërkim) kishte xhiruar gjatë kohës që kryenin marrëdhënie.

Masa u rikonfirmua pas një seance që zgjati për rreth 3 orë, ndërsa u zhvillua me dyer të mbyllura për shkak të moshës së të miturve. Pesë prej tyre kanë mohuar të kenë kryer marrëdhënie me 14-vjeçaren, ndërsa dy të tjerët kanë pranuar akuzat përpara gjyqtares që kishte dosjen në dorë.

Dy të miturit që pranuan akuzën kanë pohuar se nuk e kishin shantazhuar vajzën, por ajo kishte shkuar me dëshirën e saj. Avokati Gramoz Lika, që ka në mbrojtje 4 prej të miturve, kërkoi masë më të lehtë, meqenëse sipas tij, akuza ende nuk është provuar, por edhe për shkak të moshës.

Por kërkesa u refuzua nga gjyqtarja e seancës, Nurjeta Tafa, e cila pranoi kërkesën e prokurores Oltiana Çifligu dhe la në burg 7 të rinjtë.

Ndërkohë, një 15- vjeçar është ende në kërkim si i akuzuari i tetë për abuzimin me të miturën. Ka qenë pikërisht ky i fundit strumbullari i kësaj historie, pasi ishte i dashuri i vajzës.

Ai ka xhiruar një video gjatë kohës që kryente marrëdhënie më vajzën dhe e shantazhonte me këto pamje. 15-vjeçari i kërkonte vajzës të shkonte me shokët e tij, pasi në të kundërt ata do t’i bënin publike videon intime.

Gjendur në këtë situatë, 14- vjeçarja i është bindur dhe ka deklaruar se ka shkuar me djemtë. Kjo histori ka zgjatur disa muaj, deri sa prindërit e saj zbuluan se diçka nuk shkonte te vajza dhe i kërkuan t’u tregonte se çfarë problemi kishte. Në një moment, vajza u tregon gjithë situatën në të cilën ndodhej prej rreth dy-tre muajsh.

Të shokuar, prindërit e saj iu drejtuan Policisë së Kavajës për të bërë denoncim. Ata akuzohen për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me të mitur” dhe hetimet po kryhen nga prokurorë të Seksionit për të Mitur pranë Prokurorisë Durrës.

Historia tronditëse ka zgjatur për disa muaj, ndërsa për shkak të ndjeshmërisë dhe moshës së mitur të të akuzuarve dhe viktimës së abuzimit, Prokuroria dhe Gjykata nuk japin më shumë informacion mbi dosjen. Ky rast i rëndë i abuzimit seksual ka zgjatur përreth dy muaj, por u zbulua vetëm dy ditë më parë.

FAMILJARET

Gjatë zhvillimit të seancës, familjarë të djemve qëndruan para Gjykatës së Durrësit, ku refuzuan të bëjnë komente për ngjarjen e rëndë dhe akuzat.

Përpara se të fillonte seanca gjyqësore, në momentin kur të rinjtë janë dërguar përpara togave të zeza, nëna e njërit prej tyre ka pësuar gjendje të fikëti. Sakaq, familjarët e adoleshentëve jo vetëm që nuk pranuan të komentonin rreth kësaj historie dramatike, por kërcënuan përfaqësuesit e mediave, të cilat ndodheshin me detyrë aty për të pasqyruar këtë ngjarje dramatike.

ABUZIMI

2 muaj ka zgjatur abuzimi me vajzën 14-vjeçare, nxënëse e shkollës “Rilindja” në qytetin e Kavajës. Rasti i paprecedentë u denoncua tri ditë më parë nga një postim i ish-Kryeministrit Sali Berisha, në rrjetin social “Facebook”.

Pas publikimit të ngjarjes erdhi dhe reagimi i institucioneve, duke vënë në pranga 7 nga të miturit e akuzuar./ Panorama