BALLKAN, 21 September 2026, 22:34

Për të gjashtën natë, qytetarët protestojnë në Prishtinë kundër aktgjykimit të Speciales

Qytetarë të shumtë janë mbledhur sërish sonte në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në ditën e gjashtë të protestave kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Protestuesit kanë kundërshtuar vendimin e gjykatës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, duke kërkuar drejtësi për ish-drejtuesit e UÇK-së.

I pranishëm në protestë është edhe kryetari i kryeqytetit Përparim Rama, i cili i ka qëndruar në krahë Endrit Thaçit.

Protesta po zhvillohet në mënyrë paqësore, ndërsa pjesëmarrësit kanë shprehur mbështetjen e tyre për të akuzuarit dhe kanë përsëritur thirrjet kundër aktgjykimit të Gjykatës Speciale.

Një prej organizatorëve, Çlirim Haziri gjatë kësaj proteste përmendi nismën e Partisë Demokratike të Kosovës për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e prokurorit të Specializuar, me anë të së cilës po synohet kufizimi i mandatit të Gjykatës Speciale në Hagë dhe gjithashtu monitorimi ndërkombëtar i punës së saj.

Për këtë Haziri ka thënë se kjo çështje nuk është vetëm e një partie por e të gjithëve.

Këtë nismë e ka mbështetur Aleanca, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se do ta presë vendimin e Gjykatës Kushtetuese pasi PDK-ja e kontestoi kushtetutshmërinë e konstituimit të Kuvendit të Kosovës dhe si çështje do ta trajtoj juridikisht me kujdes.

Protesta po vazhdon në sheshin e Prishtinës, ndërsa qytetarët kanë bërë thirrje për vazhdimin e qëndresës dhe mbështetjes për ish-krerët e UÇK-së.