TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Lëvizja Vetëvendosje, partia më e madhe në Kosovë, nuk planifikon të mbështesë menjëherë thirrjen e një seance të jashtëzakonshme për të diskutuar propozimin e PDK-së për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Sipas Vetëvendosjes, fillimisht duhet të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me ankesën e PDK-së për legjitimitetin e konstituimit të Kuvendit.
“Presim që Gjykata Kushtetuese të vendosë lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit, duke pasur parasysh se kërkesa e parashtruar në Gjykatë nuk është tërhequr. Për këtë arsye, konsiderojmë të nevojshme që fillimisht të pritet vendimi i Gjykatës dhe të vlerësohen implikimet juridike që mund të dalin prej tij”, ka thënë në një përgjigje me shkrim Vetëvendosje për Ekonomia Online.
Sa i përket propozimit të dorëzuar nga PDK-ja për ndryshimin e ligjit, LVV ka bërë të ditur se do ta shqyrtojë atë nga aspekti juridik. Sipas partisë, në këtë vlerësim do të përfshihet edhe përputhshmëria e propozimit me kornizën ligjore në fuqi, si dhe efektet e mundshme që ai mund të ketë në procedurat që po zhvillohen në Dhomat e Specializuara në Hagë.
“Sa i përket propozimit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit, LVV do ta shqyrtojë atë me kujdes nga aspekti juridik, përfshirë përputhshmërinë e tij me kornizën ligjore në fuqi dhe efektet që një ndërhyrje e tillë eventualisht mund të ketë në këtë fazë të procedurave pranë Dhomave të Specializuara. Duke qenë se procedurat ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së zhvillohen me ekipe të veçanta të mbrojtjes, çdo iniciativë duhet të vlerësohet me kujdes edhe në raport me interesat dhe strategjitë juridike të secilit rast”, thuhet në përgjigjen e LVV-së.