TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Pas aktgjykimit të shkallës së parë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, procesi pritet të vijojë në Gjykatën e Apelit, ku mbrojtja po përgatit argumentet kundër vendimit.
Në fokus të debatit juridik janë edhe interpretimet e bëra nga Gjykata në lidhje me qëllimet dhe veprimet e ish-udhëheqësve të UÇK-së. Avokatë të mbrojtjes kanë kundërshtuar disa prej këtyre interpretimeve, duke argumentuar se Gjykata ka shkuar përtej kompetencave të saj në vlerësimin e çështjeve që lidhen me pavarësinë e Kosovës.
Avokati ndërkombëtar Luka Mishetiq, pjesë e ekipeve mbrojtëse në këtë proces, ka reaguar ndaj interpretimeve të aktgjykimit në një kundërshtim drejtuar Marko Prelecit nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave.
Sipas Mishetiq, megjithëse Gjykata nuk kishte juridiksion për të gjykuar të drejtën e Kosovës për pavarësi, në aktgjykim është trajtuar lidhja mes qëllimit për pavarësi dhe krimeve për të cilat janë shpallur fajtorë ish-krerët e UÇK-së.
Përmes një reagimi në platformën X, Mishetiq shkroi:
“Trupi Gjykues vendosi se një pjesë e qëllimit të anëtarëve të Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale dhe të tjerëve në udhëheqjen e UÇK-së ishte që pavarësia e Kosovës të arrihej përmes krimeve të luftës. Edhe Prokuroria nuk shkoi aq larg”, nënvizon Mishetiq.
Mbrojtja pritet që këto dhe çështje të tjera t’i paraqesë në procedurat e apelit, ku vendimi i shkallës së parë do të jetë objekt i shqyrtimit nga instanca e dytë.
Në Kosovë, disa juristë e kanë krahasuar këtë fazë të procesit me raste të mëparshme të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, përfshirë atë të gjeneralit kroat Ante Gotovina, i cili u dënua në shkallën e parë dhe më pas u shpall i pafajshëm nga Apeli.
Avokati Florim Shefqeti iu referua këtij rasti dhe rolit të Luka Mishetiq në procesin e Gotovinës.
“Këtu duhet ta kemi parasysh rastin e Kroacisë me gjeneralin Ante Gotovina, i cili u dënua nga shkalla e parë, por u lirua në Apel. Ne urojmë që fati i njëjtë t'i përcjellë edhe krerët tanë, sidomos duke pasur parasysh që mbrojtja udhëhiqet nga i njëjti avokat, Luka Misetiq”, tha Florim Shefqeti, avokat.
Rasti i Gotovinës përmendet si një prej precedentëve të mëparshëm ku një vendim i shkallës së parë u ndryshua në apel. Megjithatë, vendimi në rastin e ish-krerëve të UÇK-së do të varet nga argumentet e paraqitura nga palët dhe vlerësimi i tyre nga Gjykata e Apelit.
Tashmë vëmendja është përqendruar te procedurat e apelit. Argumentet e mbrojtjes për katër ish-krerët e UÇK-së pritet të paraqiten pasi të dorëzohet zyrtarisht njoftimi për apel, duke nisur fazën e radhës të procesit gjyqësor.