BALLKAN, 21 September 2026, 15:36

Kurti, mbrojtje “teknike” Thaçit/ Kryeministri nga SHBA, zbut tonet “patriotike”

Vendimi i shpallur nga Gjykata Speciale në Hagë për katër ish krerët e uçk është diskutuar edhe nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti në SHBA. Në një takim me kongresmenin republikan Mike Laëler, Kurti tha se vendimi hodhi poshtë kategorikisht akuzat e Prokurorisë për krime kundër njerëzimit, por dënimi i Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit ishte i pamerituar, ndërsa u bazua në pasaktësi dhe gabime.

“Vendimi injoroi pretendimet ofenduese dhe të pabesueshme të raportit të Dick Marty-t, të cilat ishin aq të pabesueshme saqë as nuk u akuzuan nga Prokuroria; dhe gjithashtu hodhi poshtë akuzat për krime kundër njerëzimit”, tha Kurti. Kurti tha se presin që gabimet e bëra nga trupa gjykuese të korrigjohen në Apel. Avokatët mbrojtës kanë deklaruar se ky do të jetë një hap që do të hidhet brenda afatit ligjor, 30 ditë nga vendimi i 16 shtatorit.

“Gjetjet e mbetura bazoheshin në pasaktësi faktike, keqkuptime historike dhe gabime ligjore. Ne presim që këto të korrigjohen plotësisht në apel”, shtoi kryeministri i Kosovës. Kosova nuk është shtet anëtar i OKB, megjithatë vizitat e delegacioneve nga Prishtina priten me vëmendje për shkak të vendimit të Gjykatës Speciale.