TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vijuar të cilësojë qeverisjen e kryeministrit Edi Rama si “narkoshtet”, duke deklaruar se “regjimi i Tiranës po ndjek të njëjtën rrugë si ai i Beogradit”.
Gjatë një takimi me kryetarët e degëve të Partisë Demokratike, Berisha e përshkroi situatën politike në Shqipëri si një përballje me atë që ai e quajti “mafia e pushtetit”. Ai pretendoi se shteti ligjor është zëvendësuar me një sistem të kontrolluar nga krimi dhe se vendi po përballet me largimin masiv të qytetarëve.
Ai u ndal edhe te protestat e opozitës, duke vlerësuar qëndrueshmërinë e demokratëve dhe qytetarëve që, sipas tij, nuk janë përkulur përballë qeverisë.
“Sot ka një regjim në shkërmoqje në Europë që po ndjek hap pas hapi regjimin e Beogradit, dhe ky është regjimi i Tiranës. Dhe këtu, kanë një meritë të madhe të gjithë ata që qëndruan, nuk u përkulën. Të gjithë ata që me protestat e tyre, dëshmuan se Edi Rama nuk zhvillon zgjedhje të lira por farsë elektorale. Miqtë tanë në Europë dhe në botë, të cilët e gozhduan atë, e damkosën atë në një seri rezolutash të organizatave partiake më të fuqishme ndërkombëtare, në të cilat edhe ne jemi të anëtarësuar. Pikërisht, në sfondin e zëvendësimit të shtetit ligjor me narkoshtetin, në sfondin e vjedhjes dhe plaçkitjes së shqiptarëve më shumë se çdo pushtim tjetër, e varfërimit dhe mjerimit të tyre, në sfondin de fakto të dëbimit të tyre nga Shqipëria me kushtet, për kushtet e kalkuluara. Shpërtheu në fillim të qershorit, protesta popullore më e madhe, më gjigante, më e bukur, më madhështore që Shqipëria ka njohur në tërë historinë e saj. Dhjetëra, qindra mijëra shqiptarë nga të katër anët e Shqipërisë, por edhe të dheut, mbushën rrugët dhe sheshet e Tiranës kundër narkoregjimit, kundër kreut të organizatës kriminale dhe narkoqeverisë së tij”,- tha Berisha.