BALLKAN, 19 September 2026, 21:53

Negociatat me BE-në, Mali i Zi përballet me pengesa për mbylljen e kapitujve

Mali i Zi po përballet me shtyrjen e mbylljes së kapitujve të rinj të negociatave me Bashkimin Evropian, pasi disa shtete anëtare ende nuk kanë dhënë pëlqimin për vazhdimin e procesit.

Situata vë në pikëpyetje planin e Podgoricës për t’i përfunduar negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit dhe për t’i hapur rrugë anëtarësimit në BE në vitin 2028.

Holanda ka kërkuar një pauzë në procesin e mëtejshëm të integrimit të Malit të Zi, duke përmendur nevojën për analiza shtesë dhe zbatim më të qëndrueshëm të standardeve evropiane. Sipas burimeve diplomatike jozyrtare në Bruksel, kësaj kërkese i janë bashkuar Kroacia, Estonia, Lituania dhe Letonia.

Një zyrtar i Këshillit të BE-së tha se shtyrja lidhet kryesisht me mungesën e kohës për përfundimin e procedurave kombëtare.

Megjithatë, sipas burimeve diplomatike të Radio Evropës së Lirë, arsyet nuk janë vetëm teknike. Sipas tyre, reagimet e disa politikanëve malazezë pas vdekjes dhe gjatë varrimit të Ratko Mlladiqit, i dënuar për krime lufte dhe gjenocid, kanë ndikuar në qëndrimin e disa vendeve anëtare ndaj avancimit të mëtejshëm të Malit të Zi.

Qeveria kroate dënoi ngushëllimet e kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, për vdekjen e Mlladiqit.

Sipas burimeve diplomatike, disa shtete anëtare kërkojnë verifikime shtesë për përmbushjen e kritereve kryesore, ndërsa mes vendeve të BE-së ka dallime lidhur me vazhdimin e negociatave.

Megjithatë, ekziston mundësia që kapituj të rinj të mbyllen në fund të javës së ardhshme, ndonëse data zyrtare e konferencës ndërqeveritare dhe pëlqimi i të gjitha 27 shteteve anëtare ende nuk janë konfirmuar. Nëse nuk arrihet marrëveshje, mundësia e radhës mund të jetë në tetor.

Shtyrja vjen në një kohë kur Mali i Zi po përpiqet të zgjidhë çështjet dypalëshe me Kroacinë, përfshirë kufirin detar, pronësinë mbi anijen shkollore “Jadran”, çështjet e dëmshpërblimeve të luftës dhe personave të zhdukur, si dhe pozitën e komunitetit kroat në Mal të Zi.

Marrëdhëniet mes dy vendeve janë tensionuar edhe nga rezoluta për gjenocidin në kampet e Jasenovacit, Dahaut dhe Mauthauzenit, të miratuar nga parlamenti malazez në vitin 2024.

Deri tani, Mali i Zi ka mbyllur përkohësisht 18 nga 33 kapitujt e negociatave, përfshirë gjashtë gjatë këtij viti. Qeveria e kryeministrit Milojko Spajiq planifikon t’i mbyllë 15 kapitujt e mbetur deri në fund të dhjetorit.

Sipas planit të qeverisë, gjatë vitit 2027 pritet të përfundojnë procedurat për nënshkrimin dhe ratifikimin e Traktatit të Anëtarësimit, me synimin që Mali i Zi të bëhet anëtar i plotë i Bashkimit Evropian në vitin 2028.