AKTUALITET, 23 Mars 2019, 01:08

Panuçi në diskutim? Vizita surprizë në Shkodër, trajneri i mirënjohur italian largohet i fundit nga stadiumi

Panuçi në diskutim? Vizita surprizë në Shkodër,

Pas ndeshjes në të cilën Kombëtarja doli e mposhtur me rezultatin 0-2, ndaj Turqisë, në stadiumin “Loro Boroçi”, kanë filluar e të bëhen gjithnjë e më të forta zërat për një largim të mundshëm të trajnerit Kristian Panuçi, nga kuqezinjtë. Në fakt, edhe pse italiani u rikonfirmua se do të ishte ai udhëheqësi i ekipit në këto eliminatore, sërish në memorie është i freskët dështimi në Ligën e Kombeve, ndërkohë që është shtuar edhe disfata në ndeshjen e parë me Turqinë, e cila shikohej si shumë e rëndësishme në rrugëtimin e Shqipërisë. Ndërsa italiani duhet thënë se nuk ka as mbështetjen e tifozerisë, e cila edhe në këtë ndeshje e kontestoi.

Si për të shtuar edhe më shumë dyshimet mbi një largim të mundshëm të Panuçit pas rezultateve negative, ka mjaftuar prania në stadiumin e Shkodrës e teknikut të mirënjohur italian Edi Reja, i cili ka qenë  nën shoqërinë e Shkumbin Qormemeti. Ish-tekniku që ka drejtua shumë ekipe në Serinë A, por që mbahet më shumë mend për aventurën në krye të Lacios, ka ngritur menjëherë dyshime për prezencën e tij në ndeshjen e Kombëtares.

Megjithatë, asgjë nuk është e sigurt dhe Edi Reja, mund të ketë qenë i pranishëm edhe për të vëzhguar nga afër ndonjë lojtar, ndërsa edhe Qormemeti është menaxheri i dy futbollistëve të Kombëtares, Kristal Abazaj dhe Bekim Balaj.