BOTA, 29 July 2026, 20:17

Pagoi 20 mijë euro për të vrarë ish-gruan, policia ndal krimin në çastet e fundit! Si ishte thurur plani i ekzekutimit

Një vrasje me pagesë është parandaluar nga policia italiane në momentet e fundit, kur gjithçka dukej gati për ekzekutimin e planit kriminal.

Ngjarja u regjistrua në Caserta, Itali, ku sipas mediave vendase, një burrë kishte paguar 20 mijë euro për të vrarë ish-bashkëshorten e tij.

Sipas hetimeve, ai kishte organizuar planin deri në detajet më të vogla, duke i vënë në dispozicion vrasësit me pagesë të gjitha informacionet mbi lëvizjet e ish-gruas, madje edhe çelësat e banesës së saj.

Plani parashikonte që gruaja fillimisht të rrëmbehej dhe më pas të ekzekutohej në një zonë të izoluar.

Falë ndërhyrjes në kohë të autoriteteve, krimi u parandalua përpara se të kryhej.

Në kuadër të operacionit janë arrestuar pesë persona, ndërsa motivet që shtynë porositësin të planifikonte vrasjen e ish-bashkëshortes nuk janë bërë ende të ditura dhe mbeten objekt i hetimeve.