TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Përshkallëzohet konflikti në Lindjen e Mesme vetëm pak orë pas takimit mes Donald Trump dhe Benjamin Netanyahut në Shtëpinë e Bardhë. Teherani shënjestroi një bazë amerikane në Jordani dhe goditi tre anije cisternash nafte në Ngushticën e Hormuzit, ndërsa SHBA-ja dhe Arabia Saudite kanë goditur objektiva të forcave aleate të Teheranit në Irak. Tensionet e reja tronditën edhe tregjet ndërkombëtare, duke shkaktuar një rritje të çmimit të naftës.
Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) njoftoi se goditi tre anije cisternë që po përpiqeshin të kalonin nëpër Ngushticën e Hormuzit. Sipas agjencisë iraniane Tasnim, autoritetet iraniane pretenduan se anijet kishin shpërfillur paralajmërimet dhe kishin vijuar lundrimin në një itinerar që Teherani e cilësoi të rrezikshëm dhe të paligjshëm, ndaj u detyruan të ndalonin.
Më herët, Teherani kishte ndërmarrë edhe një sulm me raketa ndaj një baze ushtarake amerikane në Jordani, duke rritur më tej tensionet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara
Si kundërpërgjigje, SHBA-ja dhe Arabia Saudite goditën disa baza të Forcave të Mobilizimit Popullor (PMF), një aleancë paraushtarake irakiane e mbështetur nga Irani. Sipas dy burimeve të cituara nga AFP, të paktën 10 anëtarë të kësaj force u vranë në sulmet ajrore, kryesisht në provincën Nineveh, ndërsa raportohet edhe për të plagosur në zona të tjera. Autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë që numri i viktimave të rritet.
Përshkallëzimi i konfliktit pati ndikim të menjëhershëm edhe në tregjet ndërkombëtare duke shkaktuar një rritje të çmimit të naftës. Çmimi i naftës amerikane ËTI u rrit me 3.55%, duke arritur në 82.07 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Brent u ngjit me 3.59%, në 87.11 dollarë për fuçi.
Ndërkohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e cilësoi si "fantastik" takimin me Donald Trump në Uashington. Në një intervistë për Fox Neës, ai tha se aleanca mes SHBA-së dhe Izraelit është "si një mur graniti" dhe se të dy liderët janë plotësisht të një mendimi për të mos lejuar Iranin të pajiset me armë bërthamore.
"Ne nuk duam që regjimi fanatik i Teheranit të ketë armë bërthamore për të kërcënuar amerikanët, paqen botërore dhe vetë ekzistencën e Izraelit", deklaroi Netanyahu.
Ai shtoi se SHBA-ja dhe Izraeli janë të vendosur ta arrijnë këtë objektiv, qoftë përmes diplomacisë, qoftë me mjete të tjera.