TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Programi i ri “Pas shkolle” do të zbatohet gjatë këtij viti në 408 institucione arsimore në të gjithë vendin, duke u ofruar nxënësve mundësi për aktivitete, socializim dhe mbështetje në mësime pas përfundimit të orarit zyrtar.
Zv.ministrja e Arsimit, Herida Duro, shpjegoi se nxënësit do të qëndrojnë në shkollë jo më shumë se dy orë pas mësimit. Gjatë kësaj kohe, ata do të mund të marrin pjesë në klube të ndryshme, të zhvillojnë aktivitete sipas interesave të tyre dhe të marrin ndihmë nga mësuesit për detyrat.
Sipas zv.ministres, programi është konceptuar si një hapësirë ku fëmijët mund të kalojnë kohën në mënyrë më të dobishme dhe të sigurt, duke ndërthurur edukimin me aktivitetet sociale dhe argëtuese. Ajo theksoi se nisma nuk synon të zëvendësojë kohën që prindërit kalojnë me fëmijët, por t’u krijojë nxënësve një alternativë të shëndetshme pas përfundimit të mësimit.
Në zbatimin e programit do të angazhohen mësues që janë aktualisht në sistem, por edhe mësues në pension, si dhe profesionistë të fushave të ndryshme. Këta të fundit do të kontribuojnë si mentorë, duke ndihmuar nxënësit në fusha specifike dhe në zhvillimin e aftësive të tyre.
Programi synon të përshtatet me grupmosha dhe cikle të ndryshme arsimore, ndërsa aktivitetet do të organizohen në mënyrë që qëndrimi shtesë në shkollë të mos shndërrohet në një zgjatje të zakonshme të orarit mësimor.
Nisma vjen në kuadër të ndryshimeve të reja për vitin shkollor dhe synon t’u ofrojë familjeve një mundësi shtesë për angazhimin e fëmijëve pas mësimit, përmes një kombinimi të klubeve, mentorimit, aktiviteteve dhe mbështetjes në detyra.