AKTUALITET, 12 Tetor 2020, 17:13

Numri i lartë i infektimeve me Covid-19, Mbretëria e Bashkuar adopton masat me tre nivele

Mbretëria e Bashkuar ka patur një rritje të ndjeshme të rasteve të infektimit me Covid-19, çka ka detyruar autoritetet të prezantojnë masa të tjera, për të frenuar përhapjen e virusit dhe për të evituar një kolaps të mundshëm të sistemit shëndetësor. Kryeministri Johnson, prezantoi sistemin e masave me tre nivele, e cila është një tentativë për të frenuar virusin, ndërkohë që tenton të lejojë funksionimin e ekonomisë. Sistemi ka tre nivele, me klasifikim "mesatar", "të lartë" dhe "shumë të lartë". Këto klasifikime do të adoptohen në zona të ndryshme, sipas nivelit të infektimeve. Në rastin e klasifikimit të infektimeve si "shumë të larta", do të mbyllen baret dhe pabet, ndërkohë do të ndalohet takimi mes qytetarëve në ambiente të brendshme dhe të jashmte. Në rastin e klasifikimit "e lartë", do të ndalohet takimi mes qytetarëve në ambjente të brendshme, përfshirë banesat. Ndërsa niveli "mesatar", që aktualisht aplikohet në shumicën e qyteteve, do të vijojë me masat për ndalimin e grumbullimit të më shumë se gjashtë personave dhe mbylljen e bareve dhe pabeve në orën 10 në mbrëmje. Johnson tha se ky sistem i ri, është një tentativë për të mos shkuar drejt izolimit në rang kombëtar, që do të sillte dëme edhe për ekonominë.

Në Mbretërinë e Bashkuar, numri i të infektuarve në 24 orët e fundit, ka qenë 13,972, ndërsa në total që prej fillimit të pandemisë, janë konfirmuar si të infektuar, 617,688 persona. Kanë ndërruar jetë 42,825 të tjerë.

/TPZ.al/

Grafik: Numri i të personave të konfirmuar si të infektuar me Covid-19. Burimi: gov.uk