AKTUALITET, 22 Korrik 2019, 17:15

Nuk do të jetë “Panajot Pano”: FSHF shet emrin e impiantit të ri, ofertuesit më të mirë

Federata Shqiptare e Futbollit me synimin e qartë të inkasimit maksimal të të ardhurave, ka njoftuar tashmë se po kërkon një sponsor për stadiumin e ri kombëtar, që konkretisht vlen blerjen e të drejtave të emrit të stadiumit të ri si dhe perfitime të tjera. Natyrisht në përzgjedhjen e kritereve të kompanive që mund të marrin pjesë në tender FSHF ka qenë e qartë: të jetë një kompani me një xhiro prej të paktën 10 milion euro në vit dhe që gëzon emër të mirë dhe reputacion të rëndësishëm kombëtar e ndërkombëtar. Kështu, Arena Kombëtare është një emër që impianti i përfunduar rrezikon të mos e mbajë asnjë ditë, duke qenë se subjektet që përmbushin kriteret duhet të paraqesin një letër për shfaqje interesi deri më datën 15 Gusht 2019, pra gati një muaj nga inaugurimi i parashikuar i stadiumit.

Rrëzohet hipoteza që shumë e kishin menduar, që stadiumi të mbante emrin e ikonës së futbollit Panajot Pano, sepse në komunikatën e FSHF shkruhet qartë: “Shitja e të drejtave të emrit do të ketë një afat minimal prej 5 vitesh dhe një çmim dysheme prej 600 mijë euro në vit”. Sigurisht në një botë ku biznesi është parësor, shembujt janë të pafund të shitjes së emrave të stadiumeve: Allianz Arena në Mynih, Emirates në Londër Al Etihad në Manchester apo Allianz Stadium në Torino, por ka edhe impiante ikonë e të pandryshueshëm si Santiago Bernabeu apo Camp Nou.

NJOFTIMI I FSHF

Federata Shqiptare Futbollit njofton se po kërkon një sponsor për stadiumin e ri kombëtar. E drejta për të qënë sponsor përfshin blerjen e të drejtave të emrit të stadiumit të ri si dhe perfitime të tjera.

Çdo kompani e interesuar duhet të permbush kriteret bazë që janë:

Të jetë një kompani me një xhiro prej të paktën 10 milion euro në vit

Të jetë një kompani që gëzon emër të mirë dhe reputacion të rëndësishëm kombëtar dhe/ose ndërkombetar

Shitja e të drejtave të emrit do të ketë një afat minimal prej 5 vitesh dhe një çmim dysheme prej 600 mijë euro në vit.

Çdo subjekt që vlerëson se përmbush kriteret e mësipërme dhe shfaq interes për ofertën duhet të paraqes një letër për shfaqje interesi deri më datën 15 Gusht 2019.

Shfaqja e interesit do të konsistojë në një letër ku të parashtrohet deklarimi i kompanisë se është e interesuar dhe të paraqitet dokumentacion bazë për xhiron e kompanisë dhe një CV të saj në lidhje me veprimtarinë në vendin tonë apo jashtë tij.

Procedurat e mëtejshme të zgjedhjes së kompanisë do ju njoftohen vetëm kompanive që do të shprehin interes, në një moment të dytë.