TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Në një reagim në rrjetet sociale, organizata e njohur, "Europa Nostra", e konsideron të paligjshëm vendimin e Bashkisë së Tiranës për shembjen e Teatrit Kombëtar.
Në postim, thuhet se godina mbrohet nga ligji si dhe mbrohet fuqimisht nga shoqëria civile dhe ekspertët.
“Ne jemi për trashëgiminë kulturore të Evropës. Kjo është arsyeja përse ne kundërshtojmë propozimin e paligjshëm për prishjen e Teatrit Kombëtar në Tiranë, një nga shtatë ndërtesat më të rrezikuara të Evropës.
Teatri mbrohet nga ligji kombëtar dhe mbrohet fuqimisht nga shoqëria civile dhe ekspertët. Sundimi i ligjit të bazohet mbi vlerat e BE-së”- thuhet në reagim.
https://twitter.com/europanostra/status/1261048350801100802
Këshilli Bashkiak ka marrë vendim për shembjen e Teatrit Kombëtar, me një procedurë ende të paqartë.
Opozita është zotuar se do ta mbrojë godinën e Teatrit dhe nuk do të lejojë shembjen e saj.
Ndërkohë, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka depozituar një padi të re në Gjykatën Kushtetuese, për të ndalur shembjen e kësaj godine.
Presidenti u shpreh se i takon vetëm Gjykatë Kushtetuese të shprehet lidhur me këtë çështje.
“Sovraniteti për çështjet të tilla duhet t`u takojë të gjithë qytetarëve dhe përderisa ky unitet mishërohet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në parimet themelore të parashikuara prej saj, atëherë i takon vetëm Gjykatës Kushtetuese për t’u shprehur përfundimisht mbi këtë çështje dhe asnjë institucioni tjetër” tha Meta.
Presidenti deklaroi se ka pritur reflektimin e kryeministrit dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës, lidhur me këtë çështje, por nuk ka parë asnjë tërheqje nga ideja e shembjes së Teatrit Kombëtar.
“Qëndrova në pritje të reflektimit të institucioneve përkatëse dhe kam ndjekur reagimet publike qoftë të kryetarit të Këshillit të Ministrave, ashtu dhe të kryetarit të Bashkisë Tiranë. Këto dy autoritete përgjatë kësaj jave kanë reaguar publikisht duke shfaqur hapur se qëllimi i tyre politik dhe i unifikuar është i qartë, se nuk tërhiqen nga vullneti për shembjen e godinave të kompleksit ekzistues të Teatrit Kombëtar dhe ndërtimit të një godine të re në truallin e tij“, tha Meta.