AKTUALITET, 25 Maj 2019, 12:54

Një ditë pas zgjedhjes në krye të ASH, Gjinushi kafe me Ramën


Një ditë pas zgjedhjes së Skënder Gjinushit në krye të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ky i fundit ka zhvilluar një takim privat me kryeministrin e vendit Edi Rama.

Siç shihet edhe në foto, Rama dhe Gjinushi janë ulur në një kafe në kryeqytet dhe po bisedojnë. Skënder Gjinushi, ish-ministër i Arsimit u zgjodh dje në krye të Akademisë së Shkencave  me 35 vota pro dhe 6 kundër.

Para nisjes së procesit të numërimit, kreu i ri i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, prezantoi edhe platformën e tij për këtë institucion, ndërsa tha se duhen reforma të thella në të gjitha drejtimet, veçanërisht në fushën e kërkimit shkencor.

Këtë proces e ka kundërshtuar akademiku, Artan Fuga, i cili tha se dje ishte një ditë e zezë për fushën e shkencës në Shqipëri. Ai pohoi se këto zgjedhje janë farsë dhe nuk do të pranojë rezultatin, pasi sipas tij, ky proces është puç institucional që i bëhet Akademisë së Shkencave.