AKTUALITET, 25 Maj 2019, 09:21

Sokol Balla sulmon gazetarët: Ata që bënin thirrje të digjej Shqipëria më ’97, këtë po bëjnë edhe sot, janë subjektivë

Sokol Balla sulmon gazetarët: Ata që bënin thirrje të digjej


Gazetari Sokol Balla i ftuar në emisionin “Provokacija” të Mustafa Nanos është shprehur në lidhje me krizën politike se nuk beson se vendi mund të shkojë në një përplasje civile.  Gjatë fjalës së tij ai theksoi se të ata gazetarët dhe analistë që kërkonin që vendi të shkonte në përplasje civile për të larguar Edi Ramën, janë të njëjtit persona që kërkuan të njëjtën gjë në 1997 për të larguar Sali Berishën.

“Shumica e këtyre që flasin me siguri të plotë, për shkak se janë të rreshtuar nuk u intereson fare informacioni, atyre u intereson e vërteta e tyre subjektive. Unë jam gazetar i faktit dhe e di se për kë flisni. Është e njëjta kategori, që unë i njoh shumë mirë, kam punuar me ta, kam bashkëpunuar në ambiente profesionale me ta, dhe janë të njëjtit njerëz, që donin që Shqipëria të digjej në vitin 1997 vetëm të ikte Sali Berisha nga pushteti. Pra janë të njëjtat emra”, u shpreh Balla.

Biseda:

Mustafa Nano: Ke shumë zëra publikë, intelektualë, gazetarë, që unë i shoh aktiv, dhe  janë të rreshtuar dhe të sigurt, në opinionet që japin, nuk i vënë kurrë në dyshim ato dhe promovojnë përplasjen, e quajnë si mjet natyral.

Sokol Balla: Të kesh opinion dhe një opinion të sigurt, janë dy gjëra që nuk shkojnë. Opinioni nuk mund të jetë asnjëherë i sigurt. Shumica e këtyre që flasin me siguri të plotë, për shkak se janë të rreshtuar nuk u intereson fare informacioni, atyre u intereson e vërteta e tyre subjektive. Unë jam gazetar i faktit dhe e di se për kë flisni. Është e njëjta kategori, që unë i njoh shumë mirë, kam punuar me ta, kam bashkëpunuar në ambiente profesionale me ta, dhe janë të njëjtit njerëz, që donin që Shqipëria të digjej në vitin 1997 vetëm të ikte Sali Berisha nga pushteti. Pra janë të njëjtat emra. Atë kohë për shkak të miqësisë së afërt me ta, debatoja, dhe nëse do kisha mundësi edhe tani do u thoja: Po digjet Shqipëria, po ne ku do jetojmë? Pra janë të njëjtët emra që kërkojnë të digjet gjithçka vetëm që të iki Edi Rama nga qeveria. Gjithsesi nuk besoj që sot janë të tilla kushtet dhe arsyet që të shkohet në përplasje civile.