AKTUALITET, 5 October 2026, 09:31

Nis viti i ri akademik, 120 mijë studentë në auditorët e universiteteve të Shqipërisë. Mesazhi i presidentit, Begaj

Nis viti i ri akademik, 120 mijë studentë në auditorët e

Nis sot viti i ri akademik në të gjitha universitetet e vendit. Rreth 120 mijë studentë do të ndjekin studimet e tyre në institucionet e arsimit të lartë, ndërsa rreth 20 mijë prej tyre ulen për herë të parë në auditorët universitare.

Për mijëra maturantë, kjo ditë shënon nisjen e një etape të re, pas përfundimit të arsimit të mesëm dhe procesit të aplikimit për programet universitare. Universiteti i Tiranës mbetet një nga zgjedhjet kryesore të maturantëve, me interes të lartë për një sërë programesh studimi.

Këtë vit, ndër degët që kanë tërhequr më shumë interes janë programet që lidhen me fushën e shëndetësisë, teknologjinë e informacionit dhe inxhinieritë. Në fokus të studentëve vijojnë të jenë edhe degët e ekonomisë dhe financës, të cilat mbeten ndër programet më të kërkuara.

Interesi për këto fusha lidhet edhe me mundësitë që ofrojnë në tregun e punës, ku profesionet në shëndetësi, teknologji dhe inxhinieri kanë kërkesë të vazhdueshme. Ndërkohë, programet e ekonomisë dhe financës vijojnë të jenë një alternativë e preferuar për të rinjtë që synojnë të ndërtojnë karrierë në sektorin privat dhe atë financiar.

Me nisjen e vitit të ri akademik, universitetet rikthehen në ritmin e leksioneve, seminareve dhe aktiviteteve akademike. Për studentët e vitit të parë, kjo është një eksperiencë e re, me ndryshime të rëndësishme krahasuar me jetën në shkollën e mesme.

Nisja e vitit të ri akademik, Begaj uron studentët dhe pedagogët: Investimi në dije është investimi më i sigurt

Presidenti Bajram Begaj, përcolli sot një mesazh për fillimin i vitit të ri akademik. Kreu i Shtetit i uroi studentëve dhe pedagogëve një vit akademik sa më të suksesshëm.

 Në mesazhin e tij,  ai theksoi se të rinjtë duhet ta shfrytëzojnë këtë mundësi me përkushtim për formimin e tyre profesional, duke nënvizuar se investimi në arsim dhe dije përbën investimin më të sigurt për zhvillimin e shoqërisë dhe të vendit.

Presidenti theksoi, gjithashtu, rolin e pazëvendësueshëm të universiteteve në formimin e brezave të rinj.

 “Sot nis një vit i ri akademik, një udhëtim i ri përkushtimi dhe sfidash për studentët dhe pedagogët. Universitetet janë vatrat ku formohen jo vetëm profesionistët e aftë të së nesërmes, por, mbi të gjitha, qytetarët e angazhuar që do të ndërtojnë të ardhmen e vendit.

 Uroj që studentët të kenë kurajë për të ëndërruar, disiplinë për të punuar fort dhe besim për të arritur suksesin! Një vit të mbarë dhe plot mundësi të reja të gjithëve! Suksese!”, shkroi Begaj