AKTUALITET, 13 Nëntor 2019, 12:23

Nga takimi me Ramën te Kajmaku: Pikat ku rrëzohen pretendimet e Arta Markut

Nga takimi me Ramën te Kajmaku: Pikat ku rrëzohen pretendimet e Arta


Kryeprokurorja e përkohshme, Arta Marku, doli përpara Këshillit të Lartë të Prokurorisë për të kërkuar një mandat të plotë në krye të organit të akuzës.

Ajo u përpoq të theksonte se e ka kryer punën nën presion mediatik dhe politik. “Kam qenë e angazhuar fort në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe mbi të gjitha pastrimit të parave”, deklaroi ajo.

Megjithatë, gjatë gjithë kohës së intervistimit, Marku tha se nuk mund të bënte asgjë si kryeprokurore, pasi i ka kompetencat e kufizuara.

Por ka disa pika që tregojnë të kundërtën.

Fillimisht, në ditën e dëshmisë së saj, kur ajo tha se ka qenë e angazhuar kundër korrupsionit, në media është publikuar një raport i Bankës Botërore që thotë se Shqipëria është e fundit në botë sa i përket korrupsionit, duke u krahasuar me Sierra Leonen.

Së dyti, pretendimi i saj se po lufton krimin bie lehtësisht poshtë për shkak të ngjarjeve kriminale mafioze në vend.

Qytetet e mëdha të vendit janë në kontrollin e krimit, kurse organizatat e huaja dhe mediat ndërkombëtare po flasin për çështjen e drogërave të forta që po ‘përmbytin’ vendin.

Kaq shqetësuese është situata e krimit dhe trafiku i drogërave të forta, sa zuri vend edhe në deklaratën e Bundestagut gjerman.

Së treti, ajo u pyet edhe për takimin e saj me kryeministrin Edi Rama gjatë kohës së protestave të opozitës, duke thënë se ishte një takim emergjence. Megjithatë ai dukej si një takim ku Arta Marku si vartëse po i raportonte shefit të saj.

Së katërti, protesta e opozitës dhe kriza në vend ka ardhur për shkak të çështjes së manipulimit zgjedhor, që arriti të dominojë edhe mediat më të mëdha në Europë. Teksa BILD numëronte krimet e regjistruara me manipulimin zgjedhor, çfarë bëri Arta Marku?

Kjo na çon tek pika e pestë. Arta Marku, pavarësisht se u mbrojt duke thënë se ka kompetenca të kufizuara, e ka treguar se mund të shkatërrojë dosje të rëndësishme, siç ishin ato për vjedhjen e zgjedhjeve. Shihni rastin e dosjes 184.

E gjashta, Arta Marku solli shembullin e Agim Kajmakut për të thënë se nuk është e varur nga politika.

Por dekriminalizimi është më shumë meritë e opozitës shqiptare, e cila është ankuar me të drejtë se prokuroria nuk e ka marrë seriozisht këtë problem. Madje rasti i Kajmakut u interpretua gjerësisht në media si një ndërhyrje e prokurorisë në një përplasje të brendshme në Partinë Socialiste.