TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Futbolli shqiptar ndoshta është një dhe ndër më të rrallët në arenën ndërkombëtare që njeh të tilla zhgënjime. Ndoshta, strukturat e ndërtuara në vite nuk kanë qenë frytdhënëse, por edhe mënyra e menaxhimit të klubeve.
Ky organizim i keq ka bërë që presidentë disa klubeve të njohura të shkojnë deri në faliment, duke e mbyllur në mënyrën më të hidhur aventurën e tyre me futbollin. “Eduasportin” nëpërmjet një analize ju sjell edhe rastet më të bujshme të dështimeve gjatë viteve të fundit.
Shembulli më i keq është ai i Elbasanit, skuadrës kampione të sezonit 2005-2006, e cila sot ndodhet në Kategorinë e Dytë. Arben Laze, ish-president i kësaj skuadre investoi shuma të mëdha parash që të bënte për vete trofeun më të rëndësishëm të futbollit shqiptar.
Asokohe, ai tentoi ta bënte në sezonin 2004-2005, por që nuk mundi. Realitet e bëri një vit më vonë, ndërsa në sezonin 2007-2008 skuadra e tij nuk ishte më në elitën e futbollit shqiptar. Shenja të “vdekjes klinike” që vazhdojnë e sot e kësaj dite, pra për 10 vjet radhazi.
Rasti i dytë është ai i Partizanit, një fotokopje e Elbasanit të ditëve të sotme. Klubi i kuq nën drejtimin e Albert Xhanit arriti që të fitojë vetëm Kupën e Shqipërisë në sezonin 2003-2004, ndërsa nuk arriti që të fitojë asnjëherë kampionatin, edhe pse investimet e Partizanit të Xhanit ishin ndoshta më të mëdha se ato të skuadrës që shohim në ditët e sotme.
Partizani i Xhanit arriti që në sezonin 2007-2008 të shkonte në ndeshjen e fundit përballë Dinamos për të luftuar për titullin kampion, por që u mund 2-1 në “Selman Stërmasi”. Çuditërisht, një vit më vonë u nxor nga ambientet legjitime dhe po ashtu edhe nga Superiorja.
Klub pa shtëpi e pa famë. U tentua rikthimi në sezonin 2009-2010, por nuk u bë e mundur, derisa në sezonin 2011-2012 luante në Kategorinë e Dytë për t’u rikthyer vit pas viti në elitë.
Xhani u largua nga të kuqtë, me njollën e rrëzimit të skuadrës dy herë në një kategori më poshtë, por askush nuk u kujtua për dëmin financiar që ky president klubi i shkaktoi familjes së tij.
Thuhet se është pranë Besës, thuhet se mund të rikthehet si president, por vendimmarrja e tij është e dobët në klubin verdhezi që i dha dy Kupa të Shqipërisë dhe njëherë nënkampion vendi. Besa e Kavajës vuan në Kategorinë e Parë edhe sot e kësaj dite.
Nexhat Bizhdili, siç e njohin të gjithë me emrin “Xhati”, shiti të gjitha pronat e tij dhe vlera e pasurisë së shitur ka kaluar për klubin Besa, por asnjëherë nuk iu kthye asnjë qindarkë pas. Hera e fundit e skuadrës kavajase në Superiore ka qenë sezoni 2013-2014.
Të mendosh që 18 tituj kampionë të Dinamos dhe 24 të tillë të Tiranës ndodhen në Kategorinë e Parë, shumë nuk do ta besojnë. Të dy klubet e kryeqytetit që kanë më shumë trofe vuajnë. Dinamo më shumë se Tirana edhe pse të dyja kanë presidentë legjitim në krye të tyre.
Refik Halili ka marrë në dorëzim klubin bardheblu, por si për çudi sezonin e shkuar iu gëzua Kupës së Shqipërisë dhe ra në një kategori më poshtë. Tirana është skuadër që këtë vit tenton rikthimin, ndërsa Halili mban ende damkën e rrëzimit të skuadrës në të Parën.
Halili ka fituar titullin e fundit kampion me bardheblutë, asokohe president për herë të parë me të drejta të plota në sezonin 2008-2009. Mandej, Tirana fitoi dy herë Kupën e Shqipërisë dhe Superkupën. Të njëjtën gjë e përsëritën edhe pak muaj më parë.
Nuk mund të mbetet pas as Besnik Sulaj i Dinamos. Mbi 15 vite investim në këtë klub, fitoi për herë të parë Kupën e Shqipërisë në sezonin e parë si president dhe më pas dy tituj kampionë dhe disa herë në finale të kupës.
Por, tashmë Dinamo lëngon në një kategori më poshtë, endet sa në veri e në jug, më shumë për mbijetesë, ndërsa nuk ka më ambiente. I njëjti skenar si me Partizanin, por që këtë herë nuk ka larguar donatorët kryesorë, që tanimë e kanë marrë “peng” për shumë arsye.
Tifozët presin rikthimin e këtyre ekipeve që kanë bërë bujë dhe kanë ngritur përherë lart emrin e Shqipërisë në arenën e futbollit ndërkombëtar, por që askush nuk e di se çfarë do të ndodhë.../EDS/