AKTUALITET, 7 Nëntor 2020, 20:16

Nga Angela Merkel, tek Boris Johnson, liderët botërorë urojnë Biden për fitoren e zgjedhjeve në SHBA


Pasi janë projektuar si fitues të zgjedhjeve në SHBA, liderë nga mbarë bota, kanë uruar Joe Biden dhe Kamala Harris, dhe zotohen të bashkëpunojnë me ta.

Kryeministri britanik Boris Johnson, shprehet se SHBA-të janë aleati më i rëndësishëm i Mbretërisë së Bashkuar dhe se pret të punojë me Biden dhe Harris.

"Urime Joe Biden për zgjedhjen si President i SHBA dhe Kamala Harris, për arritjen e saj historike. SHBA-të, janë aleati ynë më i rëndësishëm dhe unë mezi pres të punojmë sëbashku në prioritetet tona të përbashkëta, nga ndryshimet klimaterike, tek shkëmbimet tregëtare dhe siguria", shkruan Johnson.

Kancelarja Merkel ka uruar gjithashtu Biden dhe Harris dhe shprehet se miqësia transatlantike është e pazëvendësueshme.

"Urime! Populli amerikan ka vendosur. Joe Biden do të jetë presidenti i 46 i SHBA-ve. Unë i uroj sinqerisht fat dhe suksese. Dua gjithashtu të përgëzoj Kamala Harris, gruan e parë të zgjedhur si zëvendëspresidente në historinë e vendit tuaj. Pres të punoj me Presidentin Biden. Miqësia jonë transatlantike është e pazëvendësueshme, për t'u përballur me sfidat e kohës tonë", deklaron kancelarja.

Kryeministri i Kandasë, Justin Trudeau, shkruan "Urime Joe Biden dhe Kamala Harris... Vendet tona kanë miqësi të ngushtë, janë partnerë dhe aleatë. Ne kemi një marrëdhënie unike në skenën botërore. Unë pres me padurim të punojmë sëbashku dhe të ndërtojmë më tej, me ju të dy", shkruan Trudeau.

Kryeministri spanjoll Predro Sanchez tha se i uron fat Biden dhe Harris dhe se "pret të bashkëpunojë për sfidat që janë përpara".

Presidenti francez, Emmanuel Macron tha gjithashtu se "ka shumë punë për të bërë për të kapërcyer sfidat e të sotmes, le të punojmë sëbashku!".

Është interesant fakti se edhe presidenti polak, Andrzej Duda, një mbështetës dhe aleat shumë i ngushtë i Trump, është zotuar "për një partneritet të nivelit të lartë dhe dhe të një cilësie të lartë nën drejtimin e Biden".

Deklaratat e liderëve botërorë, janë mjaft të rëndësishme në këtë moment, për faktin se ata e kanë të qartë se kush i ka fituar zgjedhjet në SHBA, në kohën kur Donald Trump vijon të shprehet se është ai fituesi dhe refuzon të pranojë humbjen.

Sipas tij, zgjedhjet janë manipuluar dhe janë numëruar “vota të paligjshme”. Me anë të një deklarate, Trump shprehet se Biden po “pozon si fitues në mënyrë të gënjeshtërt” dhe se “aleatët në media po mundohen shumë fort ta ndihmojnë”.

Të gjithë e dimë përse Joe Biden po nxiton të pozojë në mënyrë të gënjeshtërt si fitues dhe përse aleatët e tij në media, po mundohen shumë fort ta ndihmojnë: ata nuk duan të ekspozohet e vërteta! Fakti i thjeshtë, është se këto zgjedhje nuk kanë përfunduar. Joe Biden nuk është çertifikuar si fitues në asnjë shtet, jo më në ndonjë nga shtetet e kontestuara, në të cilat do të ketë rinumërimi të detyrueshëm… Votat e ligjshme vendosin kush do të jetë president dhe jo media“, shkruan ndër të tjera Trump.

Pak përpara kësaj deklarate, Trump ka thënë në rrjetet sociale, se ai i ka fituar thellë zgjedhjet. Por poshtë postimit të tij, siç mund ta shihni, Facebook ka vendosur një shënim ku thuhet se Biden është projektuar si fitues i zgjedhjeve.

/TPZ.al/

"s