AKTUALITET, 1 Gusht 2019, 08:30

Në qershor kredia u shtua me katër miliardë lekë

Në qershor kredia u shtua me katër miliardë lekë


Portofoli i kredisë për ekonominë shqiptare arriti vlerën e 553 miliardë lekëve, një rritje me 4.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Të dhënat janë bërë të ditura nga Banka e Shqipërisë sipas të cilës mësohet se gjatë muajit qershor, kredia për ekonominë është rritur me rreth 4 miliardë lekë. Sipas të njëjtave të dhëna mësohet se gjysma e parë e këtij viti më në fund ka sjellë shenjat e pritura prej vitesh të një rritjeje të qëndrueshme të kreditimit.

Rritja vjetore me këto përmasa nuk regjistrohej që në vitin 2012. Në vitet e fundit vërehet një tendencë e sistemit bankar për të dhënë më shumë kredi afatmesme dhe afatgjata. Pesha e lartë e kredive afatshkurtra, kryesisht overdrafteve të biznesit, ka qenë një tipar disi problematik, sepse këto linja financimi maturohen në jo më shumë se një vit.

Mosrinovimi i overdrafteve në vlera të mëdha sillte një efekt gërryes në portofolin e kredisë për ekonominë. Banka e Shqipërisë gjatë këtij viti është shprehur optimiste për rritjen e kreditimit e ekonomisë.

Në veçanti, mbyllja e ristrukturimit të sistemit përmes disa shitblerjeve të rëndësishme, pritet ta kthejë fokusin e bankave drejt zgjerimit të biznesit dhe të rrisë ofertën për kredi. Rritja e portofolit të kredisë paraqitet e shpërndarë në dy segmentet kryesore të tregut, bizneset dhe familjet.

Kredia për bizneset private ka arritur në rreth 328 miliardë lekë, në rritje vjetore me 2.5%.

Huadhënia në segmentin e biznesit përbën rreth 60% të portofolit total të kredisë dhe për momentin ka një rol përcaktues në rritjen e kreditimit të ekonomisë shqiptare. Pas një procesi disavjeçar të pastrimit të portofolit nga kreditë e këqija, ky segment i tregut në fund duket se po gjen frymëmarrjeje.

Ndërsa kredia për segmentin e individëve vazhdon prej vitesh të ndjekë një tendencë pozitive dhe ka arritur në 190 miliardë lekë, me rritje vjetore me 5.5%./ Monitor