BALLKAN, 2 September 2026, 21:15

"Në Kosovë po shkelet hapur Kushtetuta"- Grenell del në krah të 6 deputetëve të LDK-së: Janë miq të mëdhenj të Amerikës

Ish-emisari amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë, duke dalë në krah të gjashtë deputetëve të LDK-së që nuk pranuan emrin e Bekim Sejdiut për President, sipas marrëveshjes mes Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut.

Përmes një postimi në platformën “X”, Grenell publikoi fotografi të Avdullah Hotit, Hykmete Bajramit, Arben Gashit, Armend Zemajt, Kujtim Shalës dhe Janina Ymerit, duke i cilësuar ata si miq të mëdhenj të Amerikës.

“Miku im Avdullah Hoti dhe kolegët e tij janë miq të mëdhenj të Amerikës”, shkroi Grenell në “X”.

Disa orë pas këtij postimi, Grenell bëri një tjetër reagim, këtë herë duke akuzuar indirekt Albin Kurtin se po shkel Kushtetutën.

Ai theksoi se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve.

“Kush në Kosovë po e mbron Kushtetutën e tyre? Kushtetuta është e qartë: Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve. Është dita e 50-të”, shkroi Grenell.