TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka mbrojtur marrëveshjen politike të arritur me LDK-në për zgjedhjen e presidentit, pas kundërshtimit të gjashtë deputetëve të kësaj partie ndaj kandidaturës së Bekim Sejdiut.
Kurti e ka cilësuar marrëveshjen si “të vlefshme, të dobishme dhe të arritur me shumë mund”, ndërsa qëndrimin e deputetëve që kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin Sejdiun e ka konsideruar si të papërgjegjshëm dhe negativ.
Sipas Kurtit, kundërshtimi i tyre lidhet më shumë me qeverinë sesa me figurën e kandidatit për president.
“Marrëveshja politike që kemi bërë është e vlefshme, ajo marrëveshje qëndron. Është marrëveshje me shumë mund, e drejtë, e vërtetë dhe e dobishme. Çfarë të bëjmë që kishim këtë veprimin negative të 6 deputetëve. Duket qartë se nuk e kanë aq kundër Bekim Sejdiut, se sa kundër qeverisë.
Për atë qëndron opozitarizmi në Kuvend dhe zgjedhje të lira demokratike. Nuk mundemi që pafundësisht të përsërisim zgjedhjet me shpresën se këtë herë do të ketë rezultate ndryshe”, tha Kurti.
Kreu i Vetëvendosjes ka bërë të ditur gjithashtu se do të takohet sërish me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje dhe për të shmangur shkuarjen e vendit në zgjedhje të reja.
Gjashtë deputetët e LDK-së që kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Bekim Sejdiun janë Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Armend Zemaj, Kujtim Shala dhe Janina Ymeri.