AKTUALITET, 10 Shtator 2020, 14:16

Ndryshime në ambasadën Britanike në Tiranë, ja kush do të jetë ambasadori i ri

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Duncan Norman, ka njoftuar në llogarinë e tij personale në Twitter, se në shtator të vitit 2021, ai do të zëvendësohet nga një tjetër ambasador, Alastair King-Smith.

Norman do të largohet në një tjetër detyrë diplomatike. Ai bën me dije se ambasadori i ri, aktualisht po mëson shqip.

"Zoti Alastair King-Smith, është emëruar Ambasador i Madhërisë së saj, në Republikën e Shqipërisë, duke pasuar Zotin Duncan Norman MBE, i cili do të transferohet në një tjetër detyrë në Shërbimin Deplomatik. Zoti King-Smith do të marrë detyrën në Shtator 2021", shkruhet në njoftimin e qeverisë britanike.

Në faqen zyrtare të qeverisë, është publikuar gjithashtu jetëshkrimi i ambasadorit të ri, King-Smith, i cili ka qenë i emëruar në poste të ndryshme në Tel Aviv, Nairobi, Tripoli, Islamabad.

Ajo që bie në sy është fakti se King-Smith, ka qenë zëvendës drejtues në Departamentin e Politikave Multilaterale, në Fushatën Botërore për Lirinë e Medias, në Ministrinë e Jashtme dhe të Commonwealth-it, çka e bën atë një ekspert në lirinë e medias. Me gjasë ai do të jetë shumë i zënë me këtë temë në Shqipëri, ku liria e medias ka pësuar rënie dhe përkeqësim të ndjeshëm.

/TPZ.al/