AKTUALITET, 25 August 2026, 10:54

“Na thau krahun”/ Mbeti i plagosur nga atentati ku u vranë babë e bir në Dukagjin, zbardhet telefonata e të lënduarit! Bashi eci 2 km në këmbë me plumb në trup

“Na thavi krahin”. Këto kanë qenë fjalët e para të Lazër Bashit, shtetasit që mbeti i plagosur në atentatin ku Prelë dhe Lekë Gjoni, babë e bir, u qëlluan për vdekje me armë zjarri në zonën e Dukagjinit.

Bashi arriti të mbijetojë pas breshërisë së plumbave dhe i plagosur në shpatull, bëri një lëvizje prej rreth dy kilometrash në këmbë për të kërkuar ndihmë.

Sipas dëshmisë së tij, Bashi ndodhej rastësisht në pjesën e pasme të automjetit bashkë me Prelë dhe Lekë Gjonin, kur ndaj tyre u hap zjarr. Autorët dyshohet se përdorën dy armë, një kallashnikov dhe një MP5, duke qëlluar më shumë se 50 plumba.

Në momentin e sulmit, Bashi është shtrirë në automjet dhe ka marrë një plumb në shpatull. Ai ka qëndruar i fshehur për disa minuta, derisa autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Automjeti kishte humbur kontrollin dhe ishte kthyer në njërën anë. Pasi është siguruar se autorët nuk ndodheshin më aty, Bashi ka arritur të dalë nga automjeti, duke marrë me vete edhe telefonin celular.

Por zona ku ndodhi atentati nuk kishte sinjal telefonik. Për këtë arsye, i plagosuri ka ecur për rreth 40 minuta në terren të vështirë malor, duke përshkuar afro dy kilometra në këmbë.

Telefonata 

Sapo ka mbërritur në një lokal pranë kryqëzimit ku rruga e Pultit lidhet me atë të Shoshit, Bashi ka telefonuar një të afërm. Fjalët e para që ka thënë kanë qenë: “Na thavi, krahin”.

Më pas, ai ka treguar se si ndodhej në automjet me Prelë dhe Lekë Gjonin dhe se dy burrat kishin mbetur të vrarë në vend.

Bashi ka pastruar gjakun që i rridhte nga plagosja në një çezmë pranë lokalit dhe më pas ka pritur transportin drejt Spitalit Rajonal të Shkodrës.

Për shkak të humbjes së konsiderueshme të gjakut, ai është dërguar më pas drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për trajtim më të specializuar. Aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia ende pa autorë

Policia e Shkodrës dhe Prokuroria vijojnë hetimet për identifikimin e autorëve të vrasjes së dyfishtë dhe plagosjes.

Deri tani nuk ka një person të identifikuar si autor i ngjarjes. Efektivët kanë shoqëruar disa persona për t’i marrë në pyetje, por nuk ka ende të dhëna konkrete për përgjegjësinë e tyre.

Mes pistave kryesore të hetimit janë një divorc i Lekë Gjonit rreth tre muaj më parë dhe një konflikt i ndodhur disa vite më parë. Megjithatë, familjarët kanë deklaruar se nuk kanë dijeni për ndonjë konflikt të kohëve të fundit.

Prelë dhe Lekë Gjoni po ktheheshin nga banesa e tyre e vjetër në Dukagjin, ku mbanin edhe disa koshere bletësh, në drejtim të Shkodrës. Ata u zunë në pritë në rrugën e Xhanit.

Lekë Gjoni punonte me një kamion, duke transportuar materiale ndërtimi dhe një eskavator në zonën e Dukagjinit. Sipas informacioneve të bëra publike, ai nuk njihej si person problematik dhe lëvizte lirshëm në zonë.

Terreni i vështirë malor, mungesa e sinjalit telefonik dhe fakti që zona nuk është e monitoruar nga kamera sigurie e kanë vështirësuar ndjeshëm punën e hetuesve.

Policia dhe prokuroria po vijojnë mbledhjen e provave dhe marrjen në pyetje të personave që mund të kenë dijeni për ngjarjen, me synim zbardhjen e plotë të vrasjes së dyfishtë dhe identifikimin e autorëve.