AKTUALITET, 24 August 2026, 21:58

E rëndë/ Djali në Lushnje vret me sqepar nënën dhe plagos babain, arratiset pas krimit

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në fshatin Zhymë të Lushnjës, ku një 45 vjeçar, që vuan nga probleme të shëndetit mendor, dyshohet se ka vrarë të ëmën me sqepar dhe ka plagosur babain. 

Menjëherë pas ngjarjes, ai është larguar në drejtim të paditur. Ndërkohë Policia është vënë në ndjekje të tij.

Sipas të dhënave paraprake, autori është identifikuar si F.D, i cili dyshohet se ka qëlluar prindërit brenda banesës. 

Ngjarja ka shkaktuar tronditje në zonë, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur forcat e Policisë dhe grupi hetimor për të zbardhur rrethanat e krimit.

Reagimi i policisë

Rreth orës 21:20, në fshatin Zhymë, Lushnjë, shtetasi F. D., 45 vjeç, dyshohet se, në banesë, për motive ende të paqarta, ka goditur me një send metalik prerës (sqepar) nënën e tij, shtetasen F. D., 80 vjeçe, e cila, si pasojë e plagëve të marra, ka humbur jetën, si dhe ka plagosur rëndë babain e tij, shtetasin H. D., 77 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
 
Shtetasi F. D., i cili dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor, është larguar nga banesa pas ngjarjes. Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.