TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Më shumë se 27 fluturime në Evropë janë prekur nga kërcënimet për vendosjen e bombave, pas një serie alarmesh të rreme që kanë shkaktuar ndërprerje të trafikut ajror në disa vende të kontinentit, më 3, 5 dhe 6 nëntor.
Situata ka vënë në gatishmëri të lartë autoritetet e sigurisë në disa shtete evropiane, ndërsa disa avionë janë detyruar të ndryshojnë itinerarin, të kryejnë ulje të paplanifikuara apo të shoqërohen nga avionë luftarakë.
Sipas raportimeve të Reuters, vala e re e kërcënimeve më 5 nëntor preku të paktën 27 fluturime pasagjerësh. Ndërkohë, vetëm dy ditë më parë, më 3 nëntor, të paktën shtatë fluturime dhe një anije turistike ishin vënë në shënjestër të kërcënimeve të ngjashme.
Deri më tani, shkaku i këtij kaosi të vazhdueshëm mbetet i panjohur. E vetmja pistë hetimore është një email, përmes të cilit pretendohet se merret përgjegjësia për kërcënimet. Mesazhi mban nënshkrimin “Luftëtarët e Male State”. Ky emër duket se lidhet me një grup misterioz rus, të njohur si “Male State” (Shteti mashkullor) ose “Male Legion” (Legjioni mashkullor).
Sipas Reuters, emaili, me subjektin “Threat report”, u dërgua në disa adresa të kompanive ajrore, operatorëve të aeroporteve dhe ofruesve të shërbimeve aeroportuale në aeroportet Fiumicino të Romës dhe Malpensa të Milanos. Në të pretendohej se ishin vendosur pajisje shpërthyese në avionë që vinin nga Helsinki dhe Dublini, të cilat do të shpërthenin brenda 60 minutash.
Grupi u themelua në vitin 2016 nga Vladislav Pozdnyakov, një trajner fitnesi, i cili u largua nga Rusia dy vjet më vonë, pasi u dënua me kusht për “nxitjen e urrejtjes ndaj grave”.
Lidhja e pretenduar e grupit me kërcënimet ndaj fluturimeve ende nuk është konfirmuar, ndërsa ka pasur edhe deklarata mohuese.
“Male State”, i cili u shpall organizatë e jashtëligjshme në Rusi në vitin 2021, njihej për pikëpamjet e tij të ekstremit të djathtë, racizmin, mizogjininë dhe deklaratat kundër komunitetit LGBT.
Në një reagim për degën e BBC-së në Rusi, ky grup e ka mohuar përfshirjen në këtë praktikë alarmesh për bomba që ka shkaktuar kaos në aeroportet evropiane dhe madje është tallur me këtë situatë.
Avionët luftarakë ngrihen në ajër, fluturimet devijohen
Pas kërcënimeve të 5 nëntorit, disa shtete evropiane aktivizuan protokollet e sigurisë, duke shkaktuar ndërprerje në disa prej aeroporteve kryesore të kontinentit.
Në Francë, kryeministri Sébastien Lecornu urdhëroi ngritjen e avionëve luftarakë për të interceptuar një fluturim të kompanisë Aer Lingus, i cili po udhëtonte nga Dublini drejt Romës. Avioni u shoqërua deri në një bazë ajrore në Évreux, pasi piloti nuk bashkëpunoi me autoritetet në mënyrën e pritshme. Zyra e kryeministrit francez nuk dha arsye për sjelljen e pilotit.
Në Bullgari, Forcat Ajrore njoftuan se avionët luftarakë kishin shoqëruar tre avionë pasagjerësh deri në uljen e tyre. Një fluturim i Ryanair, që udhëtonte nga Londra drejt Sofjes, u devijua dhe u ul në Plovdiv, qyteti i dytë më i madh i vendit.
Në Spanjë, policia raportoi se brenda vetëm 20 minutash ishin marrë tri kërcënime përmes emailit, të cilat përfshinin dy fluturime të Air Europa nga Madridi drejt Parisit dhe katër fluturime të Iberia-s që vinin nga Roma dhe Milano. Disa avionë u ndaluan ose u kthyen në pozicionet e parkimit në aeroportin e Madridit, ndërsa pasagjerët u zbritën për kontrolle.
Në Varshavë, një fluturim i kompanisë LOT drejt Parisit u ndal teksa po lëvizte drejt pistës për ngritje, ndërsa pasagjerët u transferuan në një avion tjetër. Policia daneze konfirmoi gjithashtu se dy avionë ishin kontrolluar në aeroportin e Kopenhagës.
Kërcënime morën edhe fluturime të kompanive EasyJet, Finnair, LOT, Wizz Air, Ryanair dhe Air Serbia, me destinacione si Praga, Sofja, Vjena, Brukseli, Bukureshti, Roma dhe Milano. Disa prej tyre u ulën sipas orarit, por pas shoqërimit nga avionë ushtarakë.
Ndërkohë, aeroportet Heathrow të Londrës dhe Birminghamit në Britaninë e Madhe konfirmuan se kishin marrë kërcënime të enjten. Heathrow bëri të ditur se alarmi ishte vlerësuar si i pabesueshëm dhe se nuk kishte asnjë rrezik për pasagjerët, stafin apo avionët.
Dyshimet për sulme hibride dhe ndërhyrje të koordinuara
Zyrtarët e vendeve evropiane të prekura nga kërcënimet me bomba nuk kanë shprehur dyshime të drejtpërdrejta për autorët e tyre, por kanë lënë të kuptohet se këto incidente duket të jenë të koordinuara.
Asnjë shtet nuk ka fajësuar zyrtarisht një vend apo organizatë për këto kërcënime. Megjithatë, incidentet ndodhin në një kohë kur zyrtarët evropianë po akuzojnë gjithnjë e më shpesh Rusinë për organizimin e sabotimeve dhe sulmeve hibride në Evropë.
Danimarka, Polonia dhe Rumania, tri vende të prekura nga ndërprerjet e fundit, kanë akuzuar më parë Moskën për përfshirje në aktivitete të tilla. Gjermania, nga ana tjetër, ia ka atribuar Rusisë një sulm të ndodhur në muajin gusht në aeroportin e Lajpcigut. Britania ka fajësuar më parë Rusinë për incidente të ngjashme, ndërsa në një rast tjetër ka lidhur Iranin me një komplot të dyshuar kundër një baze ajrore amerikane.
Megjithatë, Rusia dhe Irani i kanë mohuar përfshirjet në këto aktivitete.
Eric Schouten, drejtues i grupit të sigurisë së aviacionit Dyami, vuri në dukje se shumica e vendeve të prekura mbështesin Ukrainën në luftën kundër pushtimit rus.
Ndërkohë, analistët e kompanisë këshilluese për rrezikun e aviacionit Osprey Flight Solutions vlerësuan se lidhja e këtyre incidenteve me fushatën e sulmeve hibride të Rusisë në Evropë përbën një mundësi reale. Megjithatë, ata paralajmëruan se nuk mund të përjashtohen as skenarë të tjerë, si veprimet e individëve me motive personale apo rastet e imitimit të kërcënimeve të mëparshme.
Eliran Almog, drejtues i kompanisë së sigurisë kibernetike të aviacionit Cyviation, tha se këto alarme mund të synojnë jo vetëm ndërprerjen e operacioneve, por edhe vëzhgimin e mënyrës se si kompanitë ajrore, aeroportet dhe autoritetet reagojnë ndaj situatave të tilla.
Ai vuri në dukje se kërcënimet ndaj aviacionit po ndodhin në të njëjtën periudhë me sulmet kibernetike ndaj sistemeve të frigoriferëve në supermarketet evropiane, të cilat kanë prekur edhe bankat e gjakut në Francë.
“Different essential services are experiencing disruption that carries economic costs and can undermine public confidence”, theksoi Almog, duke iu referuar pasojave ekonomike dhe ndikimit që këto incidente mund të kenë në besimin e publikut.
Meloni: Situata po bëhet gjithnjë e më shqetësuese
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka shprehur shqetësimin për përshkallëzimin e situatës dhe mungesën e një plani të përbashkët evropian për t’iu përgjigjur këtyre kërcënimeve.
“Jam e shqetësuar” tha Giorgia Meloni – “Situata sa vjen dhe po bëhet më shqetësuese dhe na duhet një plan për t’i bërë ballë, të cilin për fat të keq Bashkimi europian ende nuk e ka. Nesër mund të sulmohet edhe infrastruktura hekurudhore, spitalet apo bujqësia”, deklaroi kryeministrja e Italisë.
Deri më tani, kontrollet e kryera në avionët e përfshirë në incidentet e raportuara nuk kanë zbuluar pajisje shpërthyese. Megjithatë, autoritetet po vazhdojnë hetimet për të përcaktuar origjinën e kërcënimeve dhe nëse bëhet fjalë për një fushatë të koordinuar që synon destabilizimin dhe krijimin e pasigurisë në infrastrukturën kritike evropiane.