TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
John D. “Jay” Rockefeller IV, ish-guvernator i Virxhinias Perëndimore dhe senator amerikan për 30 vite, është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare. Ai ndërroi jetë të enjten në mbrëmje në banesën e tij në Uashington, duke lënë pas një karrierë gjysmëshekullore në shërbim publik.
Lajmi për vdekjen e tij u bë i ditur nga Mary Stewart, zëvendëspresidente e marrëdhënieve me jashtë në transmetuesin publik WETA, ku bashkëshortja e tij, Sharon Rockefeller, mban postin e presidentes dhe drejtoreshës ekzekutive.
Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press, Rockefeller vinte nga një prej familjeve më të pasura dhe më të njohura në Shtetet e Bashkuara, por zgjodhi të ndërtonte karrierën politike në Virxhinian Perëndimore, një prej shteteve më të varfra të vendit.
Ai mbërriti atje në vitin 1964, si pjesë e një programi kundër varfërisë, dhe vetëm 12 vite më vonë u zgjodh guvernator. Pas dy mandatesh në këtë detyrë, ai shërbeu për 30 vite si senator amerikan.
“Nuk mund ta imagjinoj një karrierë më të përmbushur”, ishte shprehur Rockefeller pas tërheqjes nga politika, në vitin 2015.
U largua nga tradita politike e familjes dhe zgjodhi një rrugë tjetër
Jay Rockefeller lindi në Nju Jork si John D. Rockefeller IV, në një familje me ndikim të jashtëzakonshëm në ekonominë dhe politikën amerikane.
Stërgjyshi i tij, John Rockefeller, themeluesi i kompanisë Standard Oil, kishte ndërruar jetë vetëm një muaj përpara lindjes së tij. Babai, John D. Rockefeller III, ishte një filantrop i njohur, ndërsa xhaxhallarët Winthrop dhe Nelson kishin shërbyer si guvernatorë republikanë të Arkansasit dhe Nju Jorkut. Një tjetër xhaxha, David Rockefeller, drejtonte bankën Chase Manhattan.
Megjithatë, Jay vendosi të ndiqte një rrugë të ndryshme nga pjesa tjetër e familjes.
Disa vite pas diplomimit në kolegj, në moshën 27-vjeçare, ai u vendos në komunitetin minerar të Emmons, në Virxhinian Perëndimore, për t'iu bashkuar programit “Vullnetarë në Shërbim të Amerikës”.
Këtë përvojë ai e cilësoi si momentin që përcaktoi bindjet dhe të ardhmen e tij politike.
“Ajo shpjegon çdo politikë që kam zbatuar ndonjëherë dhe çdo votë që kam hedhur ndonjëherë”, deklaroi Rockefeller në fjalimin e lamtumirës në Senat, më 4 dhjetor 2014.
Fillimisht nuk kishte planifikuar të qëndronte gjatë në këtë shtet, por përfundimisht u shkëput nga tradita republikane e familjes dhe në vitin 1966 u zgjodh si demokrat në Dhomën e Përfaqësuesve të Virxhinias Perëndimore.
Më pas shërbeu si sekretar shteti dhe u zgjodh guvernator.
Një moment i rëndësishëm në karrierën e tij ishte humbja në zgjedhjet për guvernator në vitin 1972, përballë republikanit Art A. Moore Jr. Pavarësisht disfatës, Rockefeller vendosi të qëndronte në Virxhinian Perëndimore, një vendim që më vonë e cilësoi si më të rëndësishmin e karrierës së tij.
Në vitin 1973 u bë presidenti i parë jo-teolog i Kolegjit Wesleyan të Virxhinias Perëndimore. Popullariteti i tij në shtet dhe ndryshimi i qëndrimit ndaj minierave në gropa të hapura i hapën rrugën fitores në zgjedhjet e vitit 1976, ku mundi republikanin Cecil Underwood.
30 vite në Senatin amerikan, mbështetës i reformave dhe të drejtave të konsumatorëve
Pas dy mandatesh si guvernator, Rockefeller u zgjodh senator amerikan në vitin 1980, pas largimit të demokratit Jennings Randolph.
Fitorja e tij erdhi në një vit kur presidenti republikan Ronald Reagan kishte arritur një sukses të madh elektoral në shkallë kombëtare.
Së bashku me bashkëshorten Sharon, vajzën e ish-senatorit republikan të Illinoisit, Charles Percy, ai u integrua në jetën politike dhe shoqërore të Uashingtonit, ku familja bleu edhe një rezidencë multimilionëshe.
Rockefeller nuk e fshehu pasurinë e trashëguar, e cila vlerësohej në rreth 150 milionë dollarë. Një pjesë të saj e përdori për financimin e fushatave politike.
Ai fitoi pesë mandate në Senat me diferenca të konsiderueshme dhe shpenzoi të paktën 21 milionë dollarë nga pasuria e tij për fushatat elektorale. Vetëm në garën e ngushtë të vitit 1984 kundër republikanit John Reiss shpenzoi rreth 9 milionë dollarë.
Gjatë zgjedhjeve për guvernator në vitin 1980 kundër Art Moore Jr., në automjete u vendosën edhe afishe me mesazhin ironik: “Bëje të shpenzojë të gjitha, Art”.
Në Uashington, Rockefeller ndërtoi ndikimin e tij nën hijen e senatorit Robert S. Byrd, një prej figurave më jetëgjata të Senatit amerikan, i cili ndërroi jetë në vitin 2010.
Ndikimi i Rockefeller u shfaq veçanërisht në çështjet e konsumatorëve, teknologjisë dhe shëndetësisë.
Si kryetar i Komitetit të Senatit për Tregtinë, Shkencën dhe Transportin, ai mbështeti zgjerimin e infrastrukturës së internetit me brez të gjerë dhe mbrojti legjislacionin që synonte të kufizonte gjurmimin e aktivitetit online të klientëve nga kompanitë.
Në vitin 1997, ai ishte autor i ligjit që krijoi Programin e Sigurimit Shëndetësor të Fëmijëve, i cili u mundëson familjeve me të ardhura të ulëta të sigurojnë kujdes shëndetësor për fëmijët e tyre, edhe kur nuk kualifikohen për Medicaid dhe nuk kanë mundësi të paguajnë sigurime private.
Ai drejtoi gjithashtu komitetet e Çështjeve të Veteranëve dhe të Inteligjencës, duke u përfshirë në debate të rëndësishme mbi politikën e jashtme amerikane.
Kundërshtoi Bushin, pati mosmarrëveshje edhe me Obamën
Gjatë karrierës së tij në Senat, Rockefeller pati përplasje të shpeshta me presidentin republikan George W. Bush për çështjet e politikës së jashtme.
Ai pranoi se pendohej për votën e tij në vitin 2002, kur mbështeti autorizimin për ndërhyrjen ushtarake amerikane në Irak.
Megjithatë, mosmarrëveshje pati edhe me administratën e presidentit demokrat Barack Obama, veçanërisht për politikat që lidhen me industrinë minerare.
Virxhinia Perëndimore ishte një prej shteteve më të rëndësishme për prodhimin e qymyrit në SHBA dhe kundërshtonte mbikëqyrjen e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit mbi metodën e nxjerrjes së qymyrit që përfshin heqjen e majave të maleve.
Roli i tij në sjelljen e investimeve japoneze në SHBA
Një tjetër kontribut i rëndësishëm i Rockefeller ishte tërheqja e investimeve japoneze në Virxhinian Perëndimore.
Studimet e tij në Universitetin e Tokios i kishin krijuar lidhje të hershme me Japoninë dhe familjen themeluese të kompanisë Toyota, të cilën e njihte që prej viteve 1960.
Ai luajti një rol të rëndësishëm në përzgjedhjen e një fushe misri në Buffalo, në Virxhinian Perëndimore, për ndërtimin e një fabrike të pjesëve të motorëve të Toyota-s në vitin 1996.
Investimi me vlerë rreth 2 miliardë dollarë u kthye në një nga projektet e rëndësishme industriale të rajonit. Fabrika punëson aktualisht rreth 2.200 persona.
Pas lajmit për ndarjen e tij nga jeta, guvernatori aktual i Virxhinias Perëndimore, Patrick Morrisey, vlerësoi kontributin e Rockefeller në zhvillimin e shtetit dhe përkushtimin e tij ndaj banorëve.
“Që nga puna e tij e hershme në disa prej komuniteteve më të varfra të shtetit tonë, deri te përpjekjet për të forcuar kujdesin shëndetësor, për të mbrojtur minatorët e qymyrit dhe familjet e tyre, si dhe për të mbështetur veteranët tanë, senatori Rockefeller tregoi një përkushtim të thellë ndaj popullit të Virxhinias Perëndimore”, u shpreh Morrisey.
Me një karrierë që përfshiu pesë dekada në jetën publike amerikane, Jay Rockefeller do të kujtohet si një politikan që, pavarësisht prejardhjes nga një prej familjeve më të pasura të vendit, zgjodhi t'ia kushtonte jetën politike komuniteteve më të varfra të Amerikës.
Former U.S. Sen. and West Virginia Democrat John D. “Jay” Rockefeller IV, who advocated for healthcare for the poor and criticized former President George W. Bush’s conduct during the Iraq War, died Friday at the age of 89. https://t.co/1PAjSteIWM
— McGill Media (@GoMcGillMedia) November 6, 2026