AKTUALITET, 27 Shtator 2019, 08:56

Misteri i kontenierit me 46 kg kokainë në Portin e Durrësit. Tre persona iu afruan, por kur kuptuan se i panë …

Misteri i kontenierit me 46 kg kokainë në Portin e Durrësit. Tre



Policia shqiptare prej disa ditësh po mban në vëzhgim dy kontenierë në Portin e Durrësit, ku dyshohet se fshihen rreth 46 kg lëndë narkotike e llojit kokainë.

Kontenierët janë nisur nga Porti i Pireut në Greqi më datë 14 shtator dhe janë shkarkuar në sheshin e kontenierëve në Portin e Durrësit tri ditë më vonë, më 17.09.2019.

Prej nëntë ditësh, dy kontenierët po mbahen në vëzhgim nga hetues të Prokurorisë greke dhe asaj shqiptare, pasi autoritetet helene kishin siguruar informacion se brenda tyre fshihet një sasi prej 45.8 kg kokainë.

Referuar “CNN”-së greke, dy kontenierët kishin 45 kg e 801 gr kokainë, por janë lënë të lirë nga autoritetet greke për të shkuar në Durrës, në mënyrë që të mësohet se kujt i përket kjo sasi droge. Vetëm tri ditë pas mbërritjes në Shqipëri, u janë afruar kontenierëve 3 persona.

Më datë 20 shtator, pra vetëm 3 ditë pas mbërritjes në Shqipëri, rreth orës 04:00- 04:30 të mëngjesit, i janë afruar kontenierit tre persona, të cilët kur kanë kuptuar se u pikasën, tentuan që të largoheshin.

Megjithatë, kjo tentativë ka rezultuar e dështuar. Personat e ndaluar janë punonjës të sigurisë portuale në Portin e Durrësit. Ata janë shoqëruar menjëherë nga Prokuroria për Krime të Rënda. Mësohet se njëri prej personave të shoqëruar ka qenë shefi i turnit, që merrej me kontrollin e kalimit të ngarkesave. Nuk dihet ende identiteti i tyre, teksa mësohet se vijojnë hetimet për të mësuar se cila është lidhja që ata mund të kenë me sasinë e drogës.

HETIMI

Burime nga grupi i hetimit thanë se kontenieri është nisur nga Ekuadori, i ngarkuar me banane, më pas është ndalur në Portin e Pireut për të mbërritur në Durrës. Operacioni pritet të finalizohet sot, ku dhe do të hapen dy kontenierët. Agjentët e Antidrogës helene kishin siguruar informacion nga agjentë të DEA-s amerikane, se dy kontenierët ishin nisur nga Ekuadori me kokainë. Hetuesit grekë kanë mbajtur nën vëzhgim dy kontenierët dhe në momentin që ata janë nisur drejt Durrësit i kanë lejuar dhe menjëherë vunë në dijeni homologët e tyre në Shqipëri.

Burimet thanë se është tentuar të vihet në zbatim metoda speciale e dorëzimit të kontrolluar, por duke qenë se tashmë lajmi është bërë publik nga mediat greke, kjo metodë mund të mos ketë efekt, duke rrezikuar dështimin e operacionit.

“Të dy kontenierët dolën nga Dogana e Pireut, të ngarkuar në një anije me destinacion Durrësin, më 14.09.2019. Anija është shkarkuar në Durrës më datë 17.09.2019 dhe në këtë moment është vendosur nën mbikëqyrje nga autoritetet shqiptare. Më 20.09.2019, sipas autoriteteve shqiptare, tre persona iu afruan kontenierit në Durrës dhe kur kuptuan se po monitoroheshin, ata u përpoqën të shpëtonin. Personat janë identifikuar, njëri prej tyre është arrestuar dhe të tjerët janë në kërkim”, thanë burime nga Prokuroria.

Departamenti i Falsifikimit i Zyrës Doganore të Pireut u njoftua nga kreu i autoriteteve shqiptare më 24.09.2019, se të paktën katër persona janë të përfshirë në këtë çështje dhe se lidhur me këtë rast trafikimi, po vazhdon hetimi. Po ashtu, burimet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda kanë bërë të ditur se operacioni është në vazhdim dhe se nuk mund të jepen detaje të tjera, për shkak dhe të sekretit hetimor.

Në Portin e Durrësit janë zbuluar më herët 613 kg kokainë në kontenierin me banane. Për këtë çështje, nën hetim është biznesmeni Arbër Çekaj, i ekstraduar nga Gjermania disa ditë më parë.