AKTUALITET, 26 Shtator 2019, 23:23

Dashuri në verë, armiq në vjeshtë. Nesër gjyqi i Nejmar kundër Barcelonës për milionat

Dashuri në verë, armiq në vjeshtë. Nesër gjyqi i Nejmar

Nejmar kthehet te Barcelona, por jo ashtu siç do të dëshironte futbollit brazilian. Ai nuk është kthyer si blerja e radhës e katalanasve, siç kishin kërkuar me ngulm palët gjatë verës, por si armiku i këtij klubi, pasi do të përballet me të në gjyq për disa miliona euro.

Ky gjyq ishte pjesërisht arsyeja pse shumë tifozë nuk dëshironin kthimin e tij, pasi e shihnin si absurd faktin se katalanasit duhej të kërkonin mbrapsht një lojtar që u arratis dhe më pas kërkoi që të paguhej për “besnikëri ndaj klubit”.

Nejmar ka mbërritur sot në Barcelonë dhe nesër në mëngjes do të paraqitet para gjykatësit për të treguar versionin e tij të fakteve. Në gjyq do të trajtohen dy tema. E para është kërkesa e Barcelonës që ai të kthejë mbrapsht pjesërisht një bonus firme prej 20 milionë eurosh. Ai ishte dhënë që lojtari të përmbushte kontratën e tij deri në vitin 2022, por futbollisti u largua në vitin 2017.

E dyta është kërkesa e lojtarit për një bonus prej 43,6 milionë eurosh që Barcelona nuk i ka paguar pasi rinovoi kontratën. Katalanasit bllokuan pagesën pasi Bartomeu deklaroi se në atë datë kur duheshin kaluar paratë, kishte nisur të dyshonte se ai po negocionte me PSG-në, gjë që u bë realitet vetëm 2 ditë më vonë.

Për këtë gjyq është përgatitur një sallë e veçantë, duke ditur interesimin që ka për çështjen në fjalë. Seanca do të jetë publike, kësisoj do të dëgjohet qartësisht çdo deklaratë e lëshuar nga palët që me siguri nuk do të kursehen ndaj njëra-tjetrës, vetëm pak javë pasi kishin lëshuar vazhdimisht vetëm deklarata dashurie.