TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ditët e gushtit po shkojnë drejt fundit, ndërkohë që ethet e këtij muaji për Partinë Socialiste, e cila qeveris vendin në mandatin e katërt, po shtohen.
Kjo vjen si pasojë e nisjes së vrullshme të sesionit të ri politik nga Edi Rama, me dy takime të rëndësishme gjatë kësaj fundjave dhe fillimit të javës së ardhshme në Pogradec.
Ora 11:30 e së dielës do t’i gjejë të mbledhur në vilën qeveritare të qytetit liqenor 12 drejtuesit politikë të qarqeve, së bashku me kryetarët socialistë të komisioneve parlamentare.
Burime nga PS pohuan se në fokus të këtij takimi do të jetë dokumenti “Besa” dhe një tjetër dokument, i njohur si “Prania e Besës”, i dorëzuar grupit parlamentar socialist në fund të korrikut.
Rama pritet të marrë nga ky takim reflektime mbi këto dy dokumente, me qëllimin final të pasurimit të tyre dhe shkuarjes drejt një dokumenti përfundimtar, pa anashkaluar përgatitjet për zgjedhjet lokale të vitit 2027.
Mbrëmja e kësaj të diele do ta gjejë Ramën, drejtuesit politikë, kryetarët e komisioneve parlamentare dhe ministrat në një darkë, e cila, me gjasë, do t’i shërbejë shtensionimit të etheve të gushtit, përpara “provimit të performancës” të hënën.
Po në Pogradec, në vilën qeveritare, në atë që njihet si një “retreat”, pra një mbledhje informale e qeverisë, ministrat do të raportojnë për ecurinë e dikastereve të tyre për periudhën janar-gusht 2026.
Ndryshe nga takimet e shkuara të këtij formati, nuk do të marrin pjesë zëvendësministrat, por vetëm ministrat dhe drejtorët e agjencive në varësi të tyre.
Sikurse në “retreatet” e viteve të shkuara, çdo ministër do të raportojë edhe për prezencën mediatike dhe aktivitetin në rrjetet sociale.
Por sprinti politik i Ramës, që nis këtë të diel, nuk mbaron këtu.
Burime nga PS pohuan se, me shumë gjasë, në javën e parë të shtatorit do të mblidhet Asambleja Kombëtare Socialiste.
Nëse do t’i referohemi mbledhjeve të shkuara të Asamblesë Socialiste, ato janë përdorur nga Rama për të shpalosur ndryshime në kabinetin qeverisës.
Por, a do ta përdorë Edi Rama mbledhjen e kësaj Asambleje për të ndryshuar drejtimin e të paktën gjashtë ministrive?
Numërimi mbrapsht ka nisur.