AKTUALITET, 17 Prill 2018, 19:38

Meta takim me Vlahutin pas publikimit të raportit të progresit për Shqipërinë nga KE

Meta takim me Vlahutin pas publikimit të raportit të progresit

Pas marrjes së rekomandimit të Komisionit Europian për çeljen e negociata të anëtarësimit, presidenti Ilir Meta, ka pritur në një takim Ambasadoren e Delegacionit të BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin.

Duke e cilësuar këtë një akt inkurajues, të shumëpritur dhe strategjik, Meta ka shprehur vlerësimin e tij për Komisionin Europian si një mik të pakursyer për vendet kandidate.

Më tej, Meta theksoi rëndësinë që ka miratimi i kësaj qasjeje dhe rekomandimit të Komisionit nga Këshilli Evropian i qershorit, për të nisur etapën e re të procesit të negociatave të anëtarësimit.

Ndërkohë, shprehu kënaqësinë që ky raport i gjen aktorët politikë, institucionalë dhe qytetarët shqiptarë të bashkuar në dëshirën për të përparuar sa më shumë dhe sa më parë drejt BE-së, pa mëdyshje.

Po ashtu, shtoi më tej se marrja e rekomandimit për hapjen e negociatave për anëtarësim do t’i shërbejë një reflektimi të thellë dhe serioz për përballjen e sfidave të mëdha që kemi përpara, për ta bërë Shqipërinë një vend evropian më shpresëdhënës.