AKTUALITET, 23 Dhjetor 2020, 22:05

Meta për Covid: Situata e rëndë, qeveria bën tendera sekretë

Meta për Covid: Situata e rëndë, qeveria bën tendera

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, e konsideron të rëndë situatën shëndetësore, ekonomike, sociale, por dhe shpirtërore dhe që sipas tij është shqetësuese dhe kërcënuese për shumë qytetarë dhe familje shqiptare. Në një intervistë për Fax Neës, Meta thotë gjendja është kritike. Sipas kreut të shtetit, për këtë arsye ai ktheu për rishqyrtim edhe buxhetin për vitin 2021, por që qeveria nuk e mori parasysh.

“Një rast i shkëlqyer ishte buxheti i shtetit, për të përqendruar më shumë financa dhe energji në këtë çështje, por unë mendoj se ishte një rast i humbur nga ana e qeverisë, e cila nuk arriti dot të reflektonte e të ngrihej mbi interesa të tjera, që nuk janë ato që përkojnë me shumicën e interesave të qytetarëve shqiptarë dhe me interesin publik në këto momente” – tha Meta që shtoi të tjera akuza për tenderat.

“Natyrisht, që në këtë periudhë nuk është koha as për të bërë tendera sekretë. Nuk është koha as për të abuzuar me këtë emergjencë shëndetësore dhe aq më tepër për të dhënë koncensione të reja, siç po shohim për fat të keq, në flagrancë të plotë me interesin publik dhe me interesin qytetar” – tha Meta.