AKTUALITET, 22 Shtator 2020, 13:08

Meta dekoron Avni Rustemin me dekoratën më të lartë: Asgjësimi i armikut të brendshëm, akti i lartë patriotik

Meta dekoron Avni Rustemin me dekoratën më të lartë:


Presidenti Ilir Meta ka dekoruar sot me Dekoratën e Flamurit Kombëtar, më të lartën e Republikës, Heroin e Popullit, Avni Rustemi, pas vdekjes.

Vlerësimi vjen në 125 vjetorin e lindjes së tij, ku përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i Shtetit shpreh mirënjohje të thellë për aktin e tij patriotik. Prej gati 30 vitesh Avni Rustemi nuk ka marrë asnjë dekoratë nga shteti shqiptar.

“Akti i tij burrëror dhe mbrojtja dinjitoze e çështjes shqiptare në gjyqin historik të Parisit, patën një jehonë të gjerë ndërkombëtare dhe u bënë burim frymëzimi për qëndresën mbarë shqiptare kundër pushtuesve të huaj dhe bashkëpunëtorëve të tyre, gjë që u manifestua në Luftën Kombëtare të Vlorës.” shkruan Meta në postimin e tij.

POSTIMI:

Me rastin e 125-vjetorit të lindjes, në vlerësim dhe mirënjohje të thellë për aktin e Tij të lartë patriotik, që kreu 100 vjet më parë, duke asgjësuar armikun kryesor të brendshëm, që mbante peng procesin e rivendosjes se Pavarësisë e të sovranitetit të shtetit shqiptar të shpallur nga Ismail Qemali, kam sot nderin dhe privilegjin të vlerësoj Heroin e Popullit, Avni Rustemi, me Dekoratën e Flamurit Kombëtar, më të lartën e Republikës.

Akti i tij burrëror dhe mbrojtja dinjitoze e çështjes shqiptare në gjyqin historik të Parisit, patën një jehonë të gjerë ndërkombëtare dhe u bënë burim frymëzimi për qëndresën mbarë shqiptare kundër pushtuesve të huaj dhe bashkëpunëtorëve të tyre, gjë që u manifestua në Luftën Kombëtare të Vlorës.