AKTUALITET, 11 Janar 2019, 09:34

Meta ashpërson tonet: Nuk ka fuqi në botë t’i bëjë presion Presidentit

Meta ashpërson tonet: Nuk ka fuqi në botë t’i

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i është përgjigjur me tone të ashpra kryeministrit Rama, pas sulmeve të këtij të fundit.

Ditën e djeshme, Meta refuzoi dekretimin e Gent Cakaj si ministër i jashtëm, veprim që ka sjellë disa deklarata të papranueshme deri në kufijtë e vulgaritetit nga Edi Rama.

Deklarata e shefit të qeverisë janë kritikuar ashpër nga Meta, ndërsa një veprim të tillë e quajti  “fatal”.

Ai që guxoi të kërcënojë komisar Zaganin pse denoncoi bashkëpunimin e trafikantëve të drogës me pushtetarët, ai që guxoi të kërcënojë nënkomisarin e Fushë-Krujës pse hetoi dhunimin e një vajze nga djali i një deputeti, ai që guxoi të kërcënojë një profesor të nderuar vetëm pse i shkruajti një letër Presidentit të Republikës në mbrojtje të interesit kombëtar, ai që kërcënon çdo ditë gazetarë e pronarë mediash, ai që kërcënon prokurorë e gjyqtarë, ai që kërcënon opozitarë dhe dëshmitarë, ai që urdhëron falsifikimin e letrave të tenderave e deri tek dokumente të sigurisë kombëtare bëri gabimin fatal të kërcënojë edhe Presidentin e Republikës së Shqipërisë në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Nuk ka fuqi në botë t’i bëjë presion e shantazh Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Nuk ka Gjykatë Kushtetuese në botë që ndalon e interpreton kompetencat që i jep Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Presidentit, për emërimin e shkarkimin e ministrave e në veçanti të atyre që janë anëtarë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Interesi kombëtar i pari! Shqipëria e Para!??”, shkruan Meta.