TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Të paktën tetë militantë islamikë kanë vdekur dhe 14 të tjerë janë plagosur dje, si pasojë e shkatërrimit të një tuneli nga Izraeli, i cili shtrihej nga Gaza në territorin izraelit, njoftoi media lokale duke cituar autoritetet e emergjencës në Gaza.
Konflikti izraelito-palestinez e ka zanafillën në fund të shekullit XIX me fillimin e imigracionit në Palestinë të hebrenjve që largoheshin nga antisemitizmi drejt Rusisë dhe Evropës Qendrore.
– Streha hebreje në Palestinë –
Më 2 nëntor 1917, qeveria britanike u shpreh në favor të ngritjes së një ‘’strehe kombëtare hebreje’’ në Palestinë. Në 1918, ushtria angleze pushtoi vendin dhe e vendosi nën administrimin ushtarak.
Në shkurt 1919, kongresi i parë palestinez në Jeruzalem refuzon ndërtimin e një qendre kombëtare hebreje.
Në 1922, Palestina kaloi zyrtarisht nën drejtimin e Britanisë së Madhe, që u trondit nga një kryengritje e madhe arabe nga vitet 1936-39.
– Plani i ndarjes –
Më 29 nëntor 1947, OKB votoi ndarjen e Palestinës në dy shtete, një hebre dhe një arab. Jeruzalemi u vendos nën kontrollin ndërkombëtar.
Ky plani u pranua nga drejtuesit sionistë, por u kundërshtua nga liderët arabë dhe shkaktoi përshkallëzim të dhunës mes arabëve dhe hebrenjve.
– Nakba –
Më 14 maj 1948, David Ben Gourion shpalli krijimin e shtetit të Izraelit menjëherë pas përfundimit të mandatit britanik mbi Palestinën. Konflikti i parë izraelito-arab shpërtheu të nesërmen.
Deri në armëpushim, në janarin e 1949, më shumë se 760 000 palestinezë u detyruan të emigronin nga avancimi i forcave hebreje. Ky migrim i detyruar u quajt ‘’Nakba’’ (katastrofë në gjuhën arabe) nga ana e palestinezëve. Rreth 400 fshatra u shkatërruan.
Cisjordania, përfshirë Jeruzalemin Lindor, iu rikthyen Jordanisë dhe Rripit të Gazës në Egjipt.
– Lufta e 1967 –
Më 5 qershor 1967, Izraeli nis luftën kundër Egjiptit, Sirisë dhe Jordanisë duke rimarrë brenda gjashtë ditëve Jeruzalemin Lindor, Cisjordaninë, Rripin e Gazës, Lartësitë siriane të Golanit dhe gadishullin egjiptian të Sinait.
Kolonizimi nisi pak pas luftës në territoret e pushtuara. Një proces që nuk është ndalur për asnjë moment nga ajo kohë.
– Lufta e 1973 –
Më 6 tetor 1973, Egjipti dhe Siria sulmojnë Izraelin në Sinai dhe mbi Lartësitë Golan. Pas të papriturave në fillim dhe disfatave të mëdha, ushtria izraelite rimerr territoret e pushtuara me çmimin e humbjeve të konsiderueshme. Në sajë të një traktati paqeje në 1979 me Izraelin, Egjipti do të rimarrë pjesën më të madhe të Sinait.
– Sabra dhe Chatila –
Më 6 qershor 1982, trupat izraelite pushtojnë Libanin dhe rrethojnë Bejrutin. Organizata për Çlirimin e Palestinës, e krijuar në 1964 duhej të largohej nga Libani.
Në shtator, masakra të tmerrshme u kryen në kampet e refugjatëve palestinezë në Sabra dhe Chatila në Bejrut, nga ana e milicëve të krishterë libanezë që ishin dërguar nga ushtria izraelite, e dislokuar gjithandej.
– Autoriteti Palestinez –
Më 13 shtator 1993, pas gjashtë muaj negociatash sekrete në Oslo, Izraeli dhe OÇP pranuan reciprokisht njëri-tjetrin dhe nënshkruan në Uashington një ‘’deklaratë në parim’’ për një autonomi të përkohshme palestineze prej pesë vitesh.
Autonomia nisi më 4 maj 1994 me një marrëveshje në Kajro duke parashikuar që Izraeli të tërhiqet nga 70 për qind e Rripit të Gazës dhe Jericho (Cisjordani). Në korrik, kreu i OÇP Yasser Arafat rikthehet në Territoret Palestineze, pas 27 vite në mërgim. Ai themeloi Autoritetin Palestinez.
– Intifadat –
Më 28 shtator 2000, një vizitë që ngjalli shumë polemika, e kreut të së djathtës izraelite, Ariel Sharon në sheshin e Xhamive në Jeruzalemin Lindor çoi në fillimin e Intifadës së Dytë, pas asaj që shkrumboi qytetet palestineze nga 1987 deri në 1993.
Ushtria izraelite ripushtoi qytetet kryesore autonome të Cisjordanisë, duke ndërmarë më pas në marsin e 2002 ofensivën më të madhe në Cisjordani prej 1967.
Në janar 2005, Mahmoud Abbas mori drejtim e Autoritetit Palestinez pas vdekjes së Arafatit.
Në shtatorin e 2005, ushtria izraelite tërhoqi ushtarin e saj të fundit nga Rripi i Gazës në kuadër të një plani për mosangazhim të njëanshëm.
– Hamasi kontrollon Gazën –
Në qershorin e 2007, lëvizja islamike Hamas, fituese në zgjedhjet palestineze në 2006 merr kontrollin e Rritpit të Gazës pas një lufte të përgjakshme me Fatahun e Mahmoud Abbas. Ky i fundit kontrollon veçse një pjesë të Cisjordanisë.
Më 8 korrik 2014, Izraeli nisi një operacion të ri kundër Gazës për të ndaluar të shtënat me mortaja dhe shkatërruar tunele të gërmuara që prej enklavës palestineze.
Më 12 tetor 2017, Hamasi dhe Fatahu nënshkruajnë një marrëveshje , duke i hapur rrugën një përmirësimi të marrëdhënieve dypalëshe.