TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Vende të Bashkimit Europian dhe veçanërisht Gjermania dhe Italia, prej kohësh kanë qenë në kërkim të një “oazi plehrash”, pas paralajmërimeve se Kina (vendi që importon miliona nga kontinenti ynë) do tu mbyllte derën përfundimisht. Dhe kështu ka ndodhur, në fillim të këtij viti.
Në këtë situatë vendet e BE-së aktualisht gjenden në alarm dhe në kërkim të një alternative tjetër, raporton së fundmi Deutsche Welle në seksionin shqip.
Momentalisht, ligji për importin e plehrave i përpiluar nga qeveria “Rama I” gjendet i bllokuar në Kuvend, pas kthimit mbrapsht më 14 Tetor të vitit 2016, nga presidenti i atëhershëm Bujar Nishani. Në atë kohë Rama nuk guxoi që ta votonte në parlament, pasi përveç Partisë Demokratike edhe LSI-ja nuk ishte e gatshme që të bashkonte votat e saj, të cilat ishin vendimtare.
Por në fund të muajit Shtator të vitit të shkuar, një nga delfinët e këtij ligji kryetari i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, Eduard Shalësi, deklaroi se dekreti i Nishanit “tashmë është i vdekur”. Ai shtoi se mazhoranca e re që tashmë ka votat e vetme është e vendosur, që ta kalojë në parlament sa më shpejt këtë ligj.
Rama nga ana tjetër, tashmë e ka kuptuar se sensibiliteti i kësaj çështje është shumë i madh në opinion dhe nuk po nxitohet. Ai është duke gjetur një rrugë më të butë se arroganca e shumicës absolute që posedon për realizimin e projektit, që do ta shndërronte vendin tonë, në një kosh gjigant mbetjesh.
Po në muajin Shtator të vitit të shkuar, në një intervistë për “Zërin e Amerikës” Rama deklaroi se ky projektligj do t’i rikthehet publikut për të parë, se është një proces europianizues dhe modernizues, duke lënë të nënkuptojë se qeveria është e vendosur për votimin e këtij ligji, por përpara hapit final thjesht do të ketë disa debate publike formale..
“Kryetari i grupit ka qenë i qartë, do ta rikthejmë në një diskutim të gjerë, për të cilin lloj-lloj sharlatanësh kërkojnë pikët e tyre duke mashtruar publikun. Ne do ta rikthejmë tek publiku për të parë se për çfarë bëhet fjalë, për të parë se bëhet fjalë për një proces europianizues dhe modernizues dhe për asgjë nga ato që thotë kazani mediatik”, tha Rama në atë kohë.
Vini re çfarë thotë: Bëhet fjalë për një proces europianizues...
Me kartën e hapjes sa më shpejt të negociatava për anëtarësim në BE, Rama këto kohë po përpiqet që të mbyllë të gjitha problemet që ka brenda, me çështjen e kanabisimit dhe inkriminimit të qeverisë dhe nga ana tjetër edhe në rrafshin ndërkombëtar, me vende si Greqia, Gjermania, Italia etj.
Pra jemi në një situatë kur Edi Rama, për të hapur bisedimet sa më shpejt (I konsideron tashmë si shpresën e vetme, për të kaluar gjendjen ku e ka katandisur qeverisjen e tij) po pranon çdo gjë. Prapa ligjit për importin e plehrave fshihen në fakt interesa miliardëshe të vetë Ramës dhe klientëve të tij, por nga ana tjetër pas lëvizjes së fundit të Kinës, Gjermania dhe vendet e tjera të BE-së do të ishin të lumtur që të gjenin kaq afër një zëvendësues të Kinës, për “plehrat që po i mbysin” siç edhe thotë DW në shkrimin e mëposhtëm.
Të shohim në vijim nëse procesi i europianizimit të vendit siç thotë Rama, do të shkojë paralel edhe me hapjen e portave të Shqipërisë, për mbetjet e vendeve të BE-së. Vetëm Gjermania eksportonte drejt Kinës 560.000 tonë mbetje plastike në vit. Tani i ka në oborr të vet dhe po hedh sytë të gjejë “perin më të hollë”, që është i gatshëm ti marrë vetëm të mos këputet.
“Kemi një politikë shumë të strukturuar. Do ta çojmë përpara me shumë vendosmëri”, deklaronte Rama për ligjin e plehrave, në seancën e 12 Shtatorit të vitit të shkuar në parlament.
Shkrimi i plotë i DW: BE-ja në rrezik të përmbytet prej mbeturinave plastike
Deri tani më shumë se gjysma e mbeturinave plastike të botës eskportoheshin për në Kinë, por Pekini vendosi tani t'i ndalojë ato. Aktivistët kinezë të mjedisit gëzohen, por Gjermania gjendet para një problemi.
Mijëra tonelata mbeturina plastike grumbullohen çdo vit në vendet e industrializuara dhe shpesh ato përfundojnë në Kinë. Deri tani edhe Gjermania dhe shtete të tjera të BE-së kanë eskportuar në shkallë të gjerë mbeturina plastike nga Evropa.
Vetëm Gjermania ka dërguar në Kinë në vitin 2016 rreth 560.000 ton mbeturina plastike. Kjo përbën rreth një të tretat e eksporteve të përgjithshme të BE-së që ka eksportuar në këtë vit në Kinë 1.6 milion ton mbeturina plastike.
Në Kinë ligjet për mbrojtjen e mjedisit janë më liberale dhe edhe shpenzimet për përpunimin e mbeturave më të ulëta. Kina i përpunon mbeturinat plastike dhe prodhon me to korniza për dritare apo objekte të tjera të ngjashme.
Plehërat të sëmurin
Zona të tëra në Kinë jetonin deri tani prej seleksionimit të mbetjeve për nxjerrjen prej tyre të lëndëve të para. Familje të tëra punojnë dhe jetojnë në kushte të mjerueshme, në fushat e grumbullimit të plehrave.
Në Guiyu, për shembull, një qytet në jug të Kinës, ku seleksionohen pajisje elektrike, mjekët kanë konstatuar nivele të larta plumbi në gjakun e 80 për qind të fëmijëve të ekzaminuar. Gjërat që nuk mund të riciklohen, derdhen shpesh në lumenj dhe në fusha dhe në fund përfundojnë tek frutat, primet apo ushqimet e tjera.
Rritje e vetëdijes mjedisore
Tani Pekini zyttar vendosi ta ndalë importimin e mbeturinave nga Evropa. Me rritjen e mirëqënies në vend Kina prodhon tani vetë më shumë mbetje dhe po bëhet më e vetëdijshme për mjedisin. Kudo në të gjithë vendin po ndërtohen impiante moderne riciklimi dhe djegieje.
Aktivistët kinezë të mjedisit po festojnë për këtë sukses. Sipas tyre ky vendim i qeverisë është një kontribut për zgjidhjen e problemeve të rënda mjedisore të Kinës.
Problem për Evropën
Shumë vende, si Gjermania, nuk kanë më tani mundësi të ekportojnë 24 lloje mbeturinash që janë përfshrië në listën e importeve të ndaluara. Tani ato duhet të mendojnë për të gjetur shpejt alternativa, sepse BE-ja është në rrezik të përmbytet prej mbeturinave plastike.
Megjithë sistemin e ndarjes së plehërave dhe mbeturinave Gjermania është ende një nga prodhuesit më të mëdhenj të mbetjeve plastike në BE për shkak të mungesës së vetëdijes për këtë problem. Po ashtu në Gjermani si dhe në vende të tjera të BE-së kostot për përpunimin e mbeturinave janë mjaft të larta dhe për këtë mendohet se një pjesë e madhe e tyre do të përfundojë përsëri në detra dhe oqeane.