AKTUALITET, 6 Gusht 2019, 13:32

Mashtrimi me moratoriumin e Ramës: Vetëm në 1 vit janë vjedhur dhe 'zhdukur' 16 ha pyje!

Mashtrimi me moratoriumin e Ramës: Vetëm në 1 vit janë


INSTAT ka bërë së fundmi një bilanc zyrtarë, për gjendjen e sipërfaqeve me pyje në Shqipëri dhe rezultatet janë skandaloze.

Gjatë këtyre 5 viteve që qeveria, Rama, ka vendosur në fuqi moratoriumin për mbrojtjen e pyjeve, ka dështuar në mënyrë spektakolare jo vetë që të rrisë sipërfaqet e pyllëzuara, por edhe që të ruajë të paprekura sipërfaqet ekzistuese në vend.

Duket se “moratoriumi” është vetëm një fasadë propagandistike, pasi shfrytëzimi makabër dhe i jashtëligjshëm i pasurisë pyjore ka vazhduar me intensitet, edhe më të lartë se në kohën përpara se qeveria në vitin 2014, të shpallte mbrojtjen dhe shtimin e tyre me ligj.

Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë qartë se gjatë vitit që lamë pas, afro 47 mijë m3 pyje janë “zhdukur” për shkak të shfrytëzimeve pa kriter nga individë dhe biznese si dhe si pasojë e mos menaxhimit të zjarreve.

Ndërkohë që prej 5 vitesh është në fuqi moratoriumi, duket se kjo masë nuk ka shpëtuar 16 hektarë pyje gjatë vitit 2018. Për këtë situatë është e vetëdijshme edhe Ministria e Mjedisit, pasi në një draft të hartuar së fundmi për pyjet, u ashpërsuan masat për abuzuesit.

Sipas të dhënave të INSTAT, Në vitin 2018, pyjet shtrihen në një sipërfaqe prej 1.051.859 ha, që përfaqëson 60,4 % të fondit pyjor dhe kullosor.

Ndërsa, volumi i përgjithshëm i pyjeve arrin në 54.878.000 m3 , ku 94,0 % e këtij volumi përbëhet nga pyjet publike dhe 6,0 % nga pyjet private.