AKTUALITET, 6 Gusht 2019, 13:20

PD e akuzoi se ka bërë burg, Prokuroria nis verifikimet për Valdrin Pjetrin

PD e akuzoi se ka bërë burg, Prokuroria nis verifikimet për


Prokuroria e Përgjithshme ka nisur verifikimet për kryebashkiakun e zgjedhur të Shkodrës nga zgjedhjet vendore monopartiake të 30 qershorit, Valdrin Pjetri.

Kryerja e verifikimeve vjen pak ditë pasi Partia Demokratike depozitoi në organin e akuzës një kërkesë për evidentimin e pastërtisë së figurës së Pjetrit.

“Valdrin Pjetri ndodhet në kushtet e ndalimit për të kandiduar dhe për t’u zgjedhur në një funksion të lartë publik.

Ai në vitin 2001-2002 ka qenë i arrestuar/ndaluar në Itali (ka jetuar në Firence) dhe më pas ndaj tij është marrë masa e dëbimit nga autoritetet.”- shkruhej në kërkesën e PD-së.

Kërkesa e PD-së i ka kaluar sektorit të Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme, që pritet të dalë së shpejti me një vendim.

Sipas selisë blu, Pjetri preket nga ligji i dekriminalizimit pikërisht për shkak të ndalimit të tij në Itali në harkun njëvjeçar 2001-2002, duke shtuar se pas kthimit në Shqipëri, nuk ka udhëtuar më në drejtim të shtetit fqinj për tetë vjet me radhë.

Por, në formularin e vetëdeklarimit që kryebashkiaku i porsaemëruar i Shkodrës ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), nuk rezulton të ketë shënuar dënimin e dhënë ndaj tij nga autoritetet italiane.

Në formular, Pjetri ka pasqyruar vetëm qëndrimin në qytetin e Firences në periudhën 2001-2002 për kryerjen e studimeve universitare.

Ndërsa socialisti iu është përgjigjur negativisht pyetjeve në kategorinë “të dhëna mbi gjendjen gjyqësore të personit”.