TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Një marrëveshje tregtare historike, është arritur mes Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së, një javë përpara përfundimit zyrtar të periudhës tranzitore post Brexit.
Marrëveshja tregtare, një dokument rreth dy mijë faqe, përmban rregullat për të cilat BE dhe MB kanë rënë dakord, për çdo temë, nga bashkëpunimi bërthamor, tek energjia, komunikimi, peshkimi apo aviacioni.
Njoftimi erdhi pasi Kryeministri Johnson zhvilloi një telefonatë me presidenten e KE-së, Ursula von der Leyen, telefonata e pestë në 24 orët e fundit.
Mbretëria e Bashkuar do të dalë nga tregu i përbashkët i BE-së më 31 dhjetor dhe rregullat e dakordësuara do të hyjnë menjëherë në fuqi, për të lejuar tregti pa tarifa dhe bashkëpunim të ngushtë policor dhe gjyqësor.
Kjo marrëveshja ka rëndësi themelore për të dyja palët. Në rastin e Mbretërisë së Bashkuar, Zyra Përgjegjësie për Buxhetin, kishte paralajmëruar se një Brexit pa marrëveshje, mund të sillte humbje deri në 40 miliardë paund dhe rreth 300 mijë vende pune.
Downing Street u shpreh: "Ne e përmbushëm Brexit dhe tashmë mund të shfrytëzojmë plotësisht mundësitë fantastike që janë përpara nesh".
Ndërsa Von der Leyen, u shpreh se marrëveshja është e drejtë për të dyja palët.
"Është një marrëveshje e drejtë dhe e balancuar, është gjëja e duhur dhe e përgjegjshme për të dyja palët. BE dhe MB duhet të jenë krah për krah, për të përmbushur synimet tona të përbashkëta globale", tha ajo në një konferencë shtypi.
Në vijim priten të bëhen publike detaje të reja rreth marrëveshjes.
/TPZ.al/