AKTUALITET, 3 Tetor 2018, 19:32

Marrëveshja me Greqinë/ Meta: Kam pasur mosmarrëveshje me Bushatin, por me Ramën kam rënë dakord, ka vetëm një kusht...

Marrëveshja me Greqinë/ Meta: Kam pasur mosmarrëveshje me
Presidenti Ilir Meta deklaron se është dakord me kryeministrin Edi Rama për paktin me Greqinë, por pasi marrëveshja të ratifikohet në Kuvend pasi të marrë dritën jeshile nga Gjykata Kushtetuese. Kreu i shtetit vuri në dukje se aktualisht ky institucion është jashtë funksionit për shkak të përjashtimeve që kanë ardhur nga vetingu.

“Unë marrëdhëniet me fqinjët i kam për zemër, dhe të tilla i kam pasur gjithmonë dhe nuk më pëlqen të hyj në polemika, por në respekt të pyetjes saj dhe në rëndësi të çështjes, sepse është një çështje shumë e rëndësishme, ka gati ka më shumë se 10 vite që nuk është zgjidhur ende dhe për të cilën ka një vendim të posaçëm të Gjykatës Kushtetueses të Shqipërisë, dua të them që unë kam bërë përpjekjet e mia maksimale në mënyrën më konstruktive për ti kontribuar zgjidhjes së drejtë të kësaj çështje dhe jo ndërlikimit të mëtejshëm të saj, sepse kjo është një çështje delikate tek ne, por edhe në Greqi. Kam bërë gjithçka, me kryeministrin Rama kemi patur një dakordim të plotë, kemi patur disa mosmarrëveshje me ministrin Bushati për këtë çështje. Ja kam bërë të qartë kryeministrit që në rast se ai është i bindur se është tërësisht e mundur për të finalizuar një marrëveshje e tille, ai do ta ketë autorizimin nga ana ime si kryeministër, por edhe si shefi i mazhorancës, sepse është një marrëveshje që duhet të kalojë në Parlament. Por natyrisht ja kam bërë të qartë dhe më duhet ta them dhe këtu se është shumë e rëndësishme që një marrëveshje e tillë duhet të ratifikohet në parlament në një moment kur Shqipëria të ketë një Gjykatë Kushtetuese funksionale, përndryshe kjo nuk do t’i shërbente mbarëvajtjes dhe përmbylljes përfundimtare të kësaj çështje në interes të dy vendeve”, tha Meta.

***

Rasti “Xhisiela” dhe letra e Nuhut/ Meta: Nuk kam besuar që mund të kenë ndodhur ato çështje…​

Presidenti Ilir Meta ka folur për çështjen “Xhisiela” dhe letrën e Emiljano Nuhut dërguar Drejtorit të Policisë dhe për dijeni të drejtuesve të shtetit, ku spjegonte se ishte kërcënuar.

“Unë jam shprehur qartë në këtë çështje dhe e kam bërë të qartë se sa kohë do të jem në këtë pozitë nuk do të favorizoj asnjë amnisti apo falje për çdo person që ushtron dhunë në familje. Besoj që edhe parlamenti dhe qeveria ndajnë të njëjtin angazhim”, tha Meta.

“Për rastin konkret është një çështje që unë kam marrë një letër që i drejtohej edhe kryeministrit, ministrit të Brendshëm dhe Prokurores nga oficeri Nuhu para se të nisesha për në SHBA. Nuk kam besuar që mund të ndodhin ato çështje, por çështjen në fjalë po e ndjek ekipi im me në krye këshilltarin për siguri kombëtare zotin Bari Shaqiri. Kështu që për të mbajtur një qëndrim të qartë duhet të kem një informacion më të plotë dhe të besueshëm”, tha Meta në një intervistë për Zërin e Amerikës.

“Është për të ardhur keq që ka një polarizim në këtë çështje, kur duhet të ketë një bashkim të të gjithëve për të adresuar një fenomen që kërcënon shoqërinë tonë, familjen tonë pa i dalë askujt në mbrojtje, aq më tepër kur bëhet fjalë për persona që kanë lidhje politike, por edhe pa e tepruar me akuza politike. Ajo që unë do të nënvizoja, përveç rëndësisë që Prokuroria dhe vetë drejtuesit e policisë duhet të ndërmarrin hapat dhe të sqarojnë momentet e kësaj odiseje, në mënyrë më të paanshme për të vendosur një besim të publikut te institucionet e zbatimit të ligjit. Mendoj se është shumë e rëndësishme që shoqëria civile të jenë të bashkuar për të ndriçuar këtë cështje në interes të së vërtetës”, vijoi Presidenti.