TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Nga Ermal Mulosmani
Sot në edicionin e mëngjesit “Make Up” në Top Channel, u shfaq portreti i relaksuar i nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës, zotit Arbjan Mazniku. Në sfond të tij dukej sheshi Skënderbej.
“Një mënyrë e bukur -mendova – për të shpjeguar përse pagesa e hotelit të Maznikut (1812 Euro-dy netë) është kryer prej Shkëlqim Fushës, realizuesit të punimeve në këtë shesh”.
Për ata njerëz që nuk e dinë, në Qershor të vitit 2018, në Barcelonë, nënkryetari Mazniku shkoi të tërhiqte një çmim mjaft prestigjioz që jepej për sheshin Skënderbej. Deri këtu është krejt në rregull, sigurisht që duhej shkuar, madje edhe me fotografë, kameramanë, kazhanistë etj. I duhej shpjeguar popullit cilësia e punës së Bashkisë megjithëse çmimi jepej kryesisht për studion arkitekturore. Por edhe Bashkia ishte e aftë në përzgjedhjen e projektit të duhur e për këtë nuk kemi pse mos t’ia japim meritat. Problemi komplikohet pak më poshtë…
Por, pak ditë më parë, në portalin shumë të njohur shqiptar JOQ, del një faturë e çuditshme nga ajo pjesëmarrje. Është pikërisht fatura e mëposhtëme ku shihet që biznesmeni Shkëlqim Fusha, nga karta e tij personale e kreditit, ka paguar hiç më pak se 1816 Euro për fjetjen e klientit Arbjan Mazniku në hotelin Alma të Barcelonës.
1816 Euro për dy netë fjetje! Sigurisht që nuk bëhet fjalë për shpërdorim të parave të taksave të kryeqytetasve… Joooo, ato nuk janë prekur fare. Është xhepi i biznesmenit Fusha që paguan luksin e nënkryetarit Mazniku prej 908 Eurosh në natë!
Do thoni ju “Po ç’dreqin ke ti kur Fushës i ka lind në zemër të paguajë edhe për Maznikun”? Po sigurisht që unë nuk flas qesim, ka rregulla për funksionarët shtetërorë subjekt i deklarimit të pasurive siç është edhe zoti Mazniku.
Ligji për konfliktin e interesit në Nenin 5, pika 1, gërma c, parashikon: ” Interesat privatë të zyrtarit janë ata interesa që përputhen, përmbajnë, bazohen ose burojnë nga (ndërmjet të tjerash)
c) dhurata, premtime, favore, trajtime preferenciale”
Pra, në rastin e pranimit të favorit të pagesës së 1816 Eurove, zoti Mazniku e ka shkelur haptas Ligjin në fjalë. Për më tepër, në nenin 21 të po këtij Ligji thuhet ekzaktësisht:
“Është e ndaluar që një zyrtar të kërkojë ose të marrë, në mënyrë të drejtpërdrejtë a të tërthortë, dhurata, favore, premtime ose trajtime preferenciale, të cilat i jepen për shkak të pozicionit të tij, nga një individ, person fizik ose juridik privat”.
Tani të kthehemi edhe një herë te intervista e mëngjesit në Top Channel.
Në kushtet kur kjo shkelje ligjore e kapur në flagrancë ishte tema e ditës, zoti Mazniku u shfaq në Top Channel. Unë mora pultin dhe gjithë kërshëri po prisja justifikimin e kësaj vjedhjeje. E them vjedhje pasi zoti Fusha njihet botërisht si përfituesi më i madh i parave të administruara nga Bashkia e Tiranës. Stërpikë të të cilave, logjikisht, i bie të kenë paguar dhomën luksoze të nënkryetarit Mazniku. Megjithëse çfarë luksi mund të bëhet me as 1,000 Euro nata po hajt mo. Shqiptarëve çoç u duken 906 Euro. Të pashëtitur e të pakulturuar janë
Mirëpo Top Channel, ish Media më e pavarur dhe e efuqishme në vend, e kishte thirrur për tjetër gjë hajdutin e Bashkisë. Ai do të shpjegonte qytetarëve taksën e re të pasurive të paluajtshme . Me fjalë të tjera taksën vjetore të shtëpisë.
Mazniku shpjegoi moderatorëve të Top-it se boll paguam 10 Euro në vit (1,200 lekë). Tashmë do paguhet një taksë vjetore sipas vlerës së shtëpisë së banimit X 0,05%. Pra, një shtëpi mesatare, që ka fjala vjen 80 metra katrorë, diku në periferi të Tiranës, nuk do të paguajë më 10 Euro por 60,000 Euro*0,05% që i bie 30 Euro ose 3 herë më shumë.
Po flas këtu për apartamente mesatare dhe në një vend jashtë unazës së Tiranës!
Trefish e ka vendosur Uriah Heep-i taksën e re, nga 10 në 30 Euro. Që do na i rrjepë përsëri në faturën e ujit, cdo muaj nga afërsisht 2,4 Euro (nga 0,8 Euro që ishte).
Këto po përpiqej të na e shpjegonte Mazniku, këtë merak kryesor kishte edhe Kazani i Kazhanit(Top Channel).
Pastaj, këto para të marra nga xhepi i qytetarit do t’i investojë për (fjala vjen) 613 metrat e Bulevardit me kosto 6 milion Euro ose 10 mijë Euro për një metër! E në këto kushte nuk u bë qameti që 20 centimetër rrugë, vetëm 20 centimetër t’ia japin Maznikut!
Taksa e re do futet në faturën e ujit. Po prit një herë, të cilit ujë?!
Në këtë fund vere Tirana po përjeton një mungesë uji që nuk është parë prej vitesh. Radhët e njerëzve që presin me tenxhere, shishe apo ç’të mundin të sjellin ndër mendje ndonjë shtet afrikan në mes të shkretëtirës. Memet me kuçedra që po ua rrëmben ujin njerëzve janë trendi i rrjeteve sociale. Për këtë nuk kishte shqetësim zoti Mazniku.
Ndërkohë, zbulohet që Maznikut ia paguan oligarku Fusha 1816 Euro hotelin!
Por Top Channel ka merak se si t’ua shpjegojë banorëve të zhuritur për ujë pagesën e taksës së re që i zhvat 3 fish! Nuk ka asnjë pyetje për ujin apo për 1816 Eurot e Çim Fushës. Këtë sektor e mbulon Zëri i Amerikës. Si në vitin 1990!/Gazete Express/