AKTUALITET, 30 September 2026, 10:55

Lushnje/ Tharja e rezervuarit të Kasharajt nxori peshqit në sipërfaqe, Nufi: Po ndërhyjmë për normalizimin e situatës

Katastrofa ekologjike e shkaktuar në rezervuarin e Kasharajt në Lushnje ka sjellë herët në mëngjes ministrin e Mbrojtjes Ermal Nufi së bashku me stafin inxhinierik dhe mjetet logjistike me të cilat do të bëhet ndërhyrja urgjente për të normalizuar situatën në këtë ujëmbledhës.

Situata e rëndë ka marrë vëmendje të shtuar për shkak se ka ndodhur katastrofë mjedisore dhe forcat e ushtrisë kanë nisur punën për pastrimin e rezervuarit dhe shkarkuesve para dhe pas digës.

Ministri Nufi tha se Forcat e Armatosura dhe bashkia e Lushnjes po ndërhyjnë për normalizimin e situatës.

“Ka ndodhur që është zbrazur rezervuari dhe peshku ka dalë në sipërfaqe. Po punojmë me forcat e bashkisë dhe ato të Armatosura që të bëjmë të mundur të largojmë rrjetën që ka bllokuar veprën ujëdalëse.

Në momentin që do të bëjmë të mundur që të lirohet kanali i bllokuar dhe uji që mbetet ende në basenin e rezervuarit, do të bëhet e mundur forca e të gjithë mjeteve për të pastruar rezervuarin e mbetur dhe peshkut. Besoj shumë shpejt, brenda ditës së sotme, maksimumi nesër, situata do të jetë normalizuar”, tha Nufi.

Inxhinieri hidroteknik i bordit të kullimit Fier Ferdinant Dervishi shprehet se teknikisht shkarkuesit dhe mirëmbajtja e veprave të tilla bëhet çdo shtator sepse është rezervuar i kategorisë së parë.

“Ky është rezervuar i kategorisë së parë, me rrezikshmëri të lartë, 3 porta sigurie. Në momentin që vjen pika e vdekjes, që mbushet kulla e marrjes së ujit, kjo vepër duhet të ngrihet që rezervuari të funksionojë. Me ndërhyrjen, do të arrihet mbilartësimi. E vetmja mënyrë është shkarkimi i rezervuarit.

Kjo është e parashikuar edhe nga rregullorja që thotë çdo fund shtatori duhet të kontrollohen shkarkuesit, kullat e marrjes së ujit. Ndërhyrja është e domosdoshme, ndryshe do të shkaktonte katastrofë në qytetin e Lushnjes. Nuk ka mënyrë tjetër për hapjen e portave të ujit”, tha Dervishi.

Rezervuari i Kasharajt është ndërtuar në vitin 1985 dhe është i dyti më i madhi në zonën e Myzeqesë.

Ky rezervuar përfshin 4190 hektarë basen ujëmbledhës dhe ka sipërfaqe ujore 190 hektarë me kapacitet 11 milionë metër kub ujë.